Partia Demokratike do të kërkojë që kërkesa e SPAK-ut për imunitetin e numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku, të shqyrtohet sa më shpejt në Parlament. Në një konferencë me gazetarë, kryetari i PD-së, Berisha, akuzoi mazhorancën se kërkon të shtyjë këtë çështje pas festave të fundvitit.
“Kërkojnë që ta çojnë pas Vitit të Ri, ta spostojnë, madje edhe të mos mbledhin parlamentin gjersa të duan vetë. Deputetët e PD do të kërkojnë mbledhjen urgjente të parlamentit në përputhje me Kushtetutën. Dhe kjo është taksative, ndaj i them Ramës, mos u fshih pas fustanit të Lubi Ballukutt”, tha Berisha.
Berisha akuzoi kryeministrin se po mbron zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
“Kjo që po bën Edi Rama mban erë si një lloj grushti shteti sepse marrja ose bllokimi i pushtetit të drejtësisë, marrja përsipër e pushtetit të drejtësisë, shënon në vetvete grusht shteti brenda shtetit”, tha kreu i PD.
Por Berisha komentoi edhe zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike, lëvizjen e Ervin Salianjit dhe takimin e tij një ditë më parë në Elbasan, duke e akuzuar se takimin ia organizoi Suel Çela.
“Që një anëtar i kooptuar i kryesisë dhe anëtar i Këshillit Kombëtar, të organizojë me Suel Çelën, kriminelin më të rrezikshëm të Elbasanit, kreun e një prej karteleve më të fuqishme në Europë, takim kjo është absolutisht e papranueshme dhe kurrë nuk mund të kalojë”, tha Berisha.
Në këtë kontekst, ai që ndërmerr një veprim të tillë, tejkalon vijën e kuqe dhe është përgjegjës për veten e tij, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike.





