Subscribe

19 shoqata biznesi vendase dhe të huaja shprehen të shqetësuara lidhur me nismën e qeverisë për të anëtarësuar me detyrim biznesin në një dhomë ekonomike.

Dhoma amerikane, gjermane, franceze të tregtisë, shoqata e investitorëve të huaj, e ndërtuesve, e bankave etj i kanë dërguar një letër ministres së shtetit për sipërmarrjen si dhe kryeministrit Edi Rama, ministrit të Financave dhe atij të Ekonomisë.

Në letër sipërmarrja shpreh kundërshtinë e kësaj nisme, e cila sipas tyre është e pabazuar në një analizë të kostove dhe përfitimeve.

“Ne gjykojmë që përpara se të shkojmë drejt organizimit të ri të Dhomave Publike duhet përfunduar një analizë e detajuar dhe vlerësim i performancës së dhomave aktuale, që në funksionin e tyre kanë ofrimin e shërbimeve. Zgjedhja me vullnet të lirë e marrjes së shërbimeve të caktuara në këmbim të tarifës së anëtarësimit është mekanizmi i efektshëm i tregut që bën funksionale marrëdhënien me biznesin”, shkruhet në letrën e shoqatave

Sipas biznesit në nismën ligjore të prezantuar nga ministria e shtetit për sipërmarrjen nuk ka një argument bindës pse duhet të ndryshojë sistemi i përfshirjes në dhoma publike.

“Ne e shikojmë me shqetësim anëtarësim me detyrim. Kjo bie ndesh me përpjekjen tonë të vazhdueshme për të mbrojtur të drejtën themelore kushtetuese të sipërmarrjes që të organizohet e lirë në dhoma publike apo private. Modeli i paraqitur nuk jep argumente se përse ekzekutivi është duke menduar që të kalojë nga sistemi liberal, në një sistem me anëtarësim me detyrim. Përveç të tjerash grupi i punës duhet të paraqesë dhe një analizë të bizneseve të regjistruara në QKB, atyre që janë aktive, xhiros së deklaruar për të krijuar një panoramë të qartë dhe tarifës së anëtarësimit”.

Anëtarësimi me detyrim i bizneseve aplikohet dhe në vendet e tjera, por duke ofruar shërbime për sipërmarrjen. Aktualisht dhomat publike nuk ofrojnë asnjë shërbim për biznesin, ndërsa dhe në draftin e hedhur për konsultim nuk specifikohet çfarë shërbimesh do të ofrojë dhoma kombëtare ekonomike./viziobplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *