Subscribe

Kryeministri Edi Rama deklaroi edhe një herë se duke nisur nga e hëna nuk do të lejohet asnjë qytetar që të dalë për të bërë pazare pa marrë një leje më parë. Gjatë një lidhjeje “live” në edicionin e lajmeve në “Vizion Plus”, Rama tha se vetëm një anëtar i familjes do të ketë mundësi të pajiset me autorizim. Ai theksoi se pensionistët nuk do të kenë më liri-dalje.

 

“Nuk kemi bërë një kufizim të ri por thjesht kemi racionuar lëvizjen që do të thotë që kemi ngritur sistemin në bazë të teknologjisë që do t’ju mundësojë të gjithë qytetarëve që kanë nevojë për të dalë për të bërë pazar që të marrin një leje drejtpërdrejt nga smartphone apo me sms nga telefoni normal. Që do të thotë që në këtyë mënyrë vetëm një anëtar i familjes mund të lejohet të dalë për të bërë pazar, asnjë pensionist nuk do të lejohet të dalë më.”

 

I pyetur sesi e sheh gjendjen e deritanishme në Shqipëri që prej 8 marsit kur u konfirmuan dy pacientët e parë me koronavirus, Rama tha se kjo është një luftë dhe se patjetër që do të ketë viktima. Sipas tij, masat e marra janë të duhurat dhe prioritet është që të ulet me sa të jetë e mundur numri i viktimave.

 

“Unë mendoj që kjo është një luftë dhe luftë pa viktima nuk ka. Ajo që besoj është e rëndësishme është që bëjmë këtë që po bëjmë dhe të ulim në maksimum numrin e viktimave dhe peshën e vuajtjeve që do të kalojmë deri në përfundim të kësaj lufte. Duke parë projeksionet e mundshme që janë publikuar nga individë të pavarur, patjetër që janë jetë të humbura. Por krahasuar me çfarë do të ndodhte nëse nuk do të bënim këtë që po bëjmë, është një minimun i minimumit të minimumit. Para pak ditësh ndoqa një ekspert me një projeksoion prej 18 mijë viktimash. Po bëjmë atë që duhet dhe po e bëjmë në kohën e duhur dhe lutem që ta bëjmë kështu deri në fund.”

 

Intervsita e plotë:

 

Pak më parë ju njoftuat një tjetër kufizim të lëvizjes së qytetarëve duke filluar nga e hëna. Pse është i domosodoshëm një vendim i tillë dhe a keni ju një plan se për sa kohë mund të mbeten në fuqi këto masa ekstreme?

 

Nuk kemi bërë një kufizim të ri, por thjesht kemi racionuar lëvizjen që do të thotë që kemi ngritur sistemin në bazë të teknologjisë që do t’ju mundësojë të gjithë qytetarëve që kanë nevojë për të dalë për të bërë pazar, për të blerë ushqime, për të blerë ilaçe apo për të kryer një shërbim tjetër që të marrin një leje drejtpërdrejt nga smartphone apo me sms nga telefoni normal. Që do të thotë që në këtyë mënyrë vetëm një anëtar i familjes mund të lejohet të dalë për të bërë pazar, asnjë pensionist nuk do të lejohet të dalë më nga shtëpia.

 

A keni ju një plan sesa kohë mund të qëndrojnë në fuqi këto masa? Shumë njerëz e kanë këtë pyetje zoti Rama.

 

Kjo është një pyetje përgjigjen e të cilës nuk ka arritur ta gjejë asnjë njeri në planet dhe nuk mund ta kem as unë. Nëse do ta kem, do ta them me shumë kënaqësi. Por fatkeqësisht deri tani askush nuk e ka në asnjë vend të botës.

 

Në 18 ditë me koronavirus në vendin tonë kemi tetë të vdekur, 186 të prekur, 77 pacientë dhe 31 fatmirësisht të shëruar. Si e lexoni ju këtë situatë? A presim ditë më të këqija?

 

Unë mendoj që kjo është një luftë dhe luftë pa viktima nuk ka. Ajo që besoj është e rëndësishme është që të vazhdojmë të bëjmë këtë që po bëjmë dhe të ulim në maksimum numrin e viktimave dhe peshën e vuajtjeve që do të kalojmë deri në përfundim të kësaj lufte. Duke parë projeksionet e mundshme që janë publikuar nga individë të pavarur, patjetër që janë jetë të humbura. Por krahasuar me çfarë mund të ndodhte nëse nuk do të bënim këtë që po bëjmë, është një minimun i minimumit të minimumit. Para pak ditësh ndoqa një ekspert me një projeksion prej 18 mijë viktimash. Kështu që po bëjmë atë që duhet dhe po e bëjmë në kohën e duhur dhe uroj dhe lutem që ta bëjmë kështu deri në fund. Me siguri që do të minimizojmë fatalitetet.

 

Në rregull jemi me masat shtrënguese zoti Rama, por ndërkohë shumë vende në botë, të nxitura edhe nga OBSH, duket se po bëjnë testime masive të popullatës. Ju do t’i bashkoheni këtij plani?

 

Kush janë shumë vende në botë?

 

Ka për shembull në Gjermani, në SHBA, kanë filluar edhe vende të tjera.

 

Testime masive të popullatës: Nuk janë shumë vende në botëm janë shumë shumë pak vende në botë. Strategjinë këtu e përcaktojnë ekspertët. Kemi ekspertë të nivelit ndërkombëtar dhe unë ju besoj atyre pa asnjë dyshim. Do të vazhdojmë me këtë strategji si pjesa dërrmuese e vendeve të botës. Deri kur mund të ketë një ndrsyshim strategjie.

 

Zoti Rama, a janë pajisur të gjithë mjekët dhe infermierët me mjetet mbrojtëse? Kam parasysh këtu atë lloj personeli që ndodhet në rrethe ku sot nuk ka vatra infeksioni, por mund të ketë nesër.

 

Asnjëherë askutj nuk i ka munguar asnjë mjet mbrojtës në Shqipëri dhe nuk do t’i mungojë.

 

Në dy ditët e fundit kemi blerë pajisje mjekësore edhe nga Turqia, por ka ende paqartësi në fakt për importin e tyre nga vendet e BE. A kemi probleme në fakt me blerjet në vendet e unionit, ndërkohë që sapo kemi hapur edhe negociatat me BE?

 

Nuk kemi probleme se nuk kemi nevojë.

 

Pra nuk kemi nevojë të blejmë pajisje mjekësore nga BE?

 

Jo!

 

Zoti Rama, shumë njerëz sot ndodhen në vështirë të mëdha ekonomike, madje edhe në kufijtë e mbijetesës, kronikat tona e dëshmojnë këtë. Çfarë do të bëhet për të varfrit? A mjafton vetëm dhënia e pakove me ushqime?

 

Çfarë duhet të bëjmë tjetër për shembull?

 

Duhet të çoni lekë në duar për shembull, sa më shpejt të jetë e mundur.

 

Çfarë t’u çojmë? T’u dërgojmë para në duar? Po ku t’i gjejmë paratë?

 

Ato të dhëna nga fondi i paketës sociale ekonomike që ju keni ndarë.

 

Ato janë akorduar dhe do të shpërndahen patjetër, por ndërkohë unë dua të nënvizoj që kjo është një luftë dhe luftohet për mbijetesë. Nuk vazhdohet të jetohet sikur lufta po ndodh diku tjetër. Që do të thotë që ne po shpërndajnmë ndihma ushqimore për të gjithë ata që janë më në nevojë se të tjerët, ndërsa të tjerët sipas nevojave duhet të shtrëngohen sepse këtu deti nuk është bërë kos, por gjërat janë të shtrënguara. Shteti njësoj si një familje, nuk i ka të pakufizuara mundësitë ekonomike, as në Amerikë. Shteti në Shqipëri është njësoj si një familje shqiptare e zakonshme. Aq sa mund të bëjë një familje shqiptare e zakonshme për veten e saj në këto kushte, aq mund të bëjë edhe shteti shqiptar për të gjithë në këto kushte. Është suhmë e rëndësishme kjo të theksohet dhe të përsëritet. Akoma ka njerëz që edhe pse i respektojnë rregullat, nuk po e fusin në kokë që kjo është luftë dhe në luftë prioriteti është të ruash kokën, të rezistosh dhe të fitosh me sa më pak humbje dhe me sa më pak dhimbje. Nuk është prioriteti në luftë që të kesh kohë pa fund për të shitur dengla në rrjetet sociale.

 

Zoti Rama, ju përmendët gjendjen e luftës. Jemi dakord me këtë që e ardhmja në këto kushte është e paqartë, sidomos për ekonominë. Por a mjaftojnë këto fonde për të shpëtuar bizneset?

 

 

Varet se çfarë kuptojmë me shpëtim. Këto janë fonde për të mbijetuar, nuk janë fonde për të vazhduar lundrimin njësoj siç ndodhte kur rrjedha ishte e qetë. Këto janë fonde për mbijetesë dhe për të mos u marrë përpara nga dallgët e mëdha të një situate që është larg së qeni e zgjidhur.

 

Zoti Rama, ka shumë shqiptarë të bllokuar në vendet e Evropës ose në shtete të tjera. Si do të zgjidhet kthimi i tyre në atdhe?

 

Janë 1379 që të jemi të qartë të listuar. Ne do t’i riatdhesojmë duk ju çuar “Lasgushin” që t’i mbledhë dhe t’i sjellë në shtëpi.

 

Si kanë ndikuar tek ju personalisht dy ngjarjet e mëdha që kanë ndodhur në vendin tonë: Tërmeti dhe pandemia. A jua kanë ndryshuar jetën?

 

Ka ndikuar tek unë personalisht në formën e një pagjumësie kronike tanimë dhe në formën e një prodhimi të energjisë ekstra për të rezistuar. Për të tjerat nuk e di, nuk kam menduar dhe nuk është koha për të bërë këto konkluzione.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *