1.Cilat janë përfundimet kryesore te Asamblesë parlamentare te NATO-s qe zhvilloi punimet e sesionit te pranverës gjate këtyre ditëve ne Tirane? 

“Ky sesion ishte shumë i rëndësishëm, se i paraprin samitit të NATO-s në Varshavë. Pra, parlamentarët që kanë një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur në vendet përkatëse, mundësojnë resurse në fushën e mbrojtjes dhe nxisin debatin. Ndaj, ishte me shumë vlerë për mua të dëgjoja se ata përgjithësisht i mbështesin prioritetet që ne kemi paracaktuar për samitin në përforcimin e mbrojtjes kryesisht në Lindje,por edhe nga kërcënime që vijnë nga të tjera drejtime. Si edhe në realizimin e asaj që ne e quajmë “të projektosh stabilitetin”, që do të thotë të ndihmojmë fqinjët tanë të forcojnë stabilitetin në vendin e tyre dhe për të luftuar terrorizmin apo faktorët e tjerë destabilizues. Ne mund t’i ndihmojmë ata për trajnimin dhe pajisjen e trupave ushtarake dhe t’i ndihmojmë në zbatimin e reformave ushtarake”.

2. Flasim per Shqipërinë. Si do te funksionoje qendra e ekselencës per radikalizmin dhe kur pritet te merret vendimi per hapjen e saj ne vendin tone?

“Ishte ide e Shqipërisë, e cila ende po shqyrtohet nga ekspertët tanë dhe anëtarët e NATO-s. Megjithatë, mendoj se Shqipëria ka identifikuar një problem mjaft domethënës, që është problemi i luftëtarëve të huaj nga vetë vendet tona, që shkojnë e luftojnë me ISIS-in dhe hapin telashe të mëdha në shoqëritë tona. Ka edhe të tjera qendra ekselence që ekzistojnë tashmë në NATO, të cilat shqyrtojnë dimensionet e ndryshme të kërcënimit nga terrorizmi. Ekspertët tanë në Shqipëri duhet te punojnë ende në këtë aspekt, para se ne të gjejmë një pikë ku kjo qendër do të përbënte ndryshim. Logjikisht për mua është e kuptueshme. Shqipëria është shumë afër me disa shtete te tjera dhe me nje rajon ku nje numer i madh luftëtaresh jane rekrutuar nga militantet e ISIS. Shqetësues është radikalizmi i një pjese të popullatës shqiptare në Kosovë, por jo vetëm atje. Rrezik ka në të gjitha shoqëritë tona. E kam parë në vendin tim, në San Bernardino të Kalifornisë, ku ka pasur njerëz që janë kthyer në radikalë dhe kanë kryer akte terroriste, edhe pse kanë qenë shumë larg territorialisht nga Siria dhe Iraku. Ndaj, është një problem serioz dhe ne mirëpresim propozime nga të gjithë aleatët tanë në luftën ndaj terrorizmit dhe radikalizmit”.

3. Si e vlerësoni progresin e bere nga Shqipëria tashme prej 7 vitesh anëtare e NATO-s?

“Shqipëria ka qenë një anëtare e shkëlqyer e NATO-s, që pas pranimit të saj para shtatë vitesh. Kontributi i saj në NATO ka nisur para anëtarësimit, me mbështetjen e operacioneve tona në Ballkanin Perëndimor apo në Afganistan. Dua të nënvizoj disa gjëra. Së pari, mbështetjen e vazhdueshme në përpjekjet për të stabilizuar Afganistanin, përmes misioneve tona trajnuese dhe këshillimore të forcave afgane të sigurisë. Po ashtu dua të nënvizoj kontributin e Shqipërisë në koalicion global kundër ISIS-it, duke ndihmuar në trajnimin e forcave të sigurisë së Irakut dhe duke u siguruar bazë materiale, armatime dhe municione te ndryshme atyre forcave. Shqipëria po ashtu ka qenë një avokate e shkëlqyer për integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ka luajtur një rol tejet të rëndësishëm në procesin që çoi në marrjen e vendimit pozitiv për Malin e Zi. Pra, Shqipëria ka dhënë kontributin e saj në aspektin material dhe politik. Është gjithashtu shumë pozitive për Aleancën vendimi i Shqipërisë per te rritur shpenzimet buxhetore ne fushën e mbrojtjes, çështje kjo që ka zgjatur shumë e shume vite në mjaft vende të tjera. pra, mendoj se Shqipëria eshte ne rrugën e duhur”.

4. Po roli i Aleancës ne modernizimin e ushtrisë shqiptare? 

“Nëse kthehemi në vitet 1990, aleanca ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm përmes partneritetit për paqen. Asokohe unë e kam vizituar për herë të parë Shqipërinë, bashkë me sekretaren amerikane te shtetit Madlen Ollbrajt, kur partneriteti për paqen ishte vendosur. Them se e kemi ndihmuar Shqipërinë të transformonte rrënjësisht politikat dhe strukturat e veta për t’u përshtatur sa më tepër me standardet e NATO-s. Sot NATO-ja e asiston Shqipërinë në planet e saj në fushën e mbrojtjes, duke e ndihmuar të caktojë prioritetet e duhura dhe duke nxjerrë në pah qasjet në cilat Shqipëria mund të japë një kontribut më të madh. Duke hartuar një tablo panoramike për forcat shumëkombëshe se cila do të ishte mënyra më e mirë për shfrytëzimin e resurseve tuaja. Si anëtarë të aleancës, ju jeni vetë përgjegjës për politikat tuaja, por NATO-ja mund t’ju ndihmojë me këshilla për të optimizuar resurset ushtarake”.

5. ISIS ose DAESH përfaqëson nje nga sfidat me te mëdha per sigurinë globale, por gjithashtu edhe per vete NATO-n. Si po përballet Aleanca me ketë?  

“Është përgjigje e ndërlikuar në fakt. Ne po përgjigjemi në mënyra të ndryshme. NATO-ja është pjesë e koalicionit global. Çdo anëtar i NATO-s,edhe Shqipëria, jep kontributin e vet në atë koalicion. Aftësia për të ndërvepruar na ndihmon që të ndërlidhim forcat aleate me partnerët tanë nga Lindja e Mesme, nga Gjiri, nga Australia, të cilët janë po ashtu pjesë të koalicionit. NATO po kontribuon më tepër në këshillimin dhe trajnimin e forcave ushtarake ne vendet e Lindjes se Mesme, te cilat kane realisht nevoje per ndihmën dhe asistencën tone. Po mundohemi të pengojmë me cdo forme zgjerimin e ISIS-it. Ata duhet të forcojnë institucionet e veta të mbrojtjes dhe resurset ushtarake që ta bëjnë këtë. Ky do të jetë edhe një nga prioritetet tona në Samitin e Varshavës, përhapja në shkallë të gjerë e këtij programi nga Iraku, në Nigeri, Marok, Jordani, mbase edhe në Libi. Kështu, do t’i ndihmojmë këto vende që të luftojnë kundër ISIS-it në mënyrë më efektive”.

6. Duke folur tani pas sulmeve te fundit terroriste ne Paris dhe ato ne Bruksel, sa e sigurte është Europa dhe Shqipëria nga ekstremizmi dhe radikalizmi?

“Ngjarjet në Paris dhe Bruksel ishin sinjale alarmi. Ne jemi duke bërë përmirësime substanciale në bashkëpunimin mes forcave të rendit dhe organizatave të brendshme të sigurisë, në përpjekje për të gjurmuar këto rrjete dhe për të parandaluar që sulme të tilla të mos përsëriten më. Megjithatë, nuk duhet të tregohemi naivë, sepse mund të ketë sulme, sidomos kur përballemi me problemin ne rritje te radikalëve nëpër vendet tona, të cilët nuk janë të lehtë për t’u dalluar në gjirin e shoqërive tona. Them se situata është përmirësuar ndjeshëm. Sigurisht që përpjekjet e bëra nga koalicioni për të ndjekur trajektoret e shtetit islamik dhe ideologjinë e tyre, do të na sjellin një zgjidhje afatgjatë. Kështu, ISIS-i nuk do të tërheqë më njerëz në radhët e veta, do të jenë të paktë ata që do të luftojnë për të apo që do të vendosin bomba në qytetet e veta. Kështu, do të shënojmë një pikë kthese në luftën kundër ISIS-it”.

7. Krerët e shteteve te NATO-s kane folur gjithmonë per nevojën urgjente te Aleancës per t’u reformuar. Cilat jane sfidat kryesore per NATO-N ne këto kohe te vështira edhe per Europen? Kam parasysh ketu debatin per Brexit apo krizën e refugjateve? 

“Unë kam punuar shume vite ne NATO dhe per NATO-n, duke kaluar aty shumë stade të karrierës sime. Ajo që më bën përshtypje te NATO-ja si organizatë është aftësia e saj për të përballuar sfidat e kohës, për t’u përshtatur me situatën e sigurisë në ndryshim e sipër. Ndaj, ne ndjekim ritmin e ndryshimeve në rast kërcënimi, duke ndërtuar politikat tona hap pas hapi. Po forcojmë aftësitë tona për t’u përballur me terrorizmin, jemi të përgatitur të dërgojmë trupa jashtë territoreve tona, nëse jemi të detyruar që ta bëjmë sërish. Po përdorim mjete të tilla si programi ushtarak për të stimuluar aftësitë ushtarake të fqinjëve tanë, me parimin se ne jemi më të sigurt kur fqinjët tanë kanë stabilitet. Për t’i arritur të gjitha këto, nevojitet reformimi i NATO-s nga brenda sepse resurset janë të mangëta, ka pasur reduktim të stafit gjatë pesë viteve të fundit në zyrat qendrore të NATO-s, edhe strukturat tona ushtarake janë reduktuar po ashtu. Duhet të jemi më efikase. Duhet të inkurajojmë vendet që të mbledhin forcat dhe të gjitha përpjekjet e tyre. Për shembull, është më efikase nëse kemi një mision mbrojtës ajror ku marrin pjesë pesë kombe, sesa t’i kërkojmë secilit vend që ta bëjë këtë më vete. NATO është shumë e aftë të përballet me sfidat e kohës dhe jam i bindur që do të vazhdojmë ta bëjmë”.

8. Një tjetër shtet në Ballkan, Mali i Zi, është në prag të anëtarësimit në NATO. Si do të ndikojë kjo në rajonin e Ballkanit?

“Anëtarësimi i Malit të Zi,shpresojmë të finalizohet vitin e ardhshëm. Kjo ngjarje do të shtojë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Do t’i japë një hov procesit të integrimit evropian dhe euroatlantik. Kjo është garancia më e mirë për të pasur stabilitet dhe për të shmangur ngjarje të dhunshme dhe tragjike si ato që ndodhën në vitet 1990. Do t’i vijë në ndihmë edhe solidaritetit tonë politik, duke përcjellë kështu edhe një nga parimet kryesore të NATO-s, sipas të cilit dyert tona janë të hapura për çdo shtet që mund të kontribuojë në sigurinë tonë dhe asnjë fuqi e jashtme, ju e dini për kë e kam fjalën, s’mund të vendosë veton në vendimmarrjen për një vend si Mali i Zi. Pra, është ngjarje pozitive për NATO-n, për Malin e Zi dhe për Ballkanin Perëndimor”.

9. E fundit pyetje, por jo nga rëndësia, ka të bëjë me raportin e NATO-s me Rusinë. Kohët e fundit ka pasur deklaratë të forta nga presidenti Putin. Po ashtu di se sekretari i përgjithshëm i NATO-s, z.Stoltenberg ndodhet në Poloni për të biseduar në lidhje me Samitin dhe për sistemin antiraketë. Si e gjykoni ju raportin mes Rusisë dhe NATO-s?

“Më lejoni t’ju kujtoj se sistemi i mbrojtjes antiraketë është një sistem mbrojtjeje,ai rrëzon raketa, por nuk ka asnjë aftësi për të sulmuar. Nuk ka as përdorim eksplozivi. Misioni përmbushet përmes përplasjes me raketat që janë nisur. Per kete arsye ai nuk përben asnjë kërcenim per Rusinë. Është krejtësisht i papërfillshëm për qasjet strategjike të Rusisë në drejtim të Shteteve të Bashkuara. Ndaj, pretendimet për kërcënim janë të pajustifikuara. Ky ishte thjesht një shembull i një sërë mosmarrëveshjesh që ekzistojnë mes Rusisë dhe NATO-s. Rusët pretendojnë që destabilizimi në pjesën lindore të Ukrainës nuk ka fare lidhje me prishjen e marrëdhënieve mes Perëndimit dhe Rusisë, kur në fakt ky është shkaku i vërtetë. Rusia shkeli rregullat. Mori territoret e një shteti tjetër me forcë dhe nxiti një rebelim të armatosur në një shtet sovran. Kjo është e papranueshme dhe na detyroi neve të ndërprisnim bashkëpunimin me Rusinë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që ne synojmë një tjetër Luftë të Ftohtë. Ne duam të rivendosim partneritetin me Rusinë, por pa shkelur parimet tona. Ndaj, në termat afatshkurtër, ne do të forcojmë mbrojtjen, që Rusia as të mos e mendojë të veprojë me ne ashtu si veproi me Ukrainën. Ne do te sigurohemi se jemi te bashkuar përballe sfides ruse. Por ndërkohe do te ruajmë shinën e dialogut, pasi ne duam ta kemi nen kontroll kete marrëdhënie, te shmangim rreziqet e ndonjë përshkallëzimi negativ te situates dhe t’i inkurajojmë ruset te jene me transparente, me te parashikueshëm ne ate qe bëjnë. Dhe te paktën te ruajmë bazat per te bashkëpunuar dikur ne te ardhmen. Por me duhet te them me shume mundësi ne te ardhmen e largët. Duke pare bindjen e Rusisë se ka nje lloj te drejte per te dominuar ndaj fqinjëve te saj. Kjo është nje e drejte te cilën ne nuk e respektojmë dhe nuk do te jemi kurrë dakord.”

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *