Dëmet materiale, humbjet ekonomike dhe nevojat për rindërtimin e Gazës pas 24 muajsh lufte vlerësohen në rreth 71.4 miliardë dollarë (afërsisht 60.7 miliardë euro), sipas një deklarate të përbashkët të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.
Dokumenti thekson se rreth 26.3 miliardë dollarë do të nevojiten vetëm gjatë 18 muajve të parë, për të rikthyer shërbimet bazë, rindërtuar infrastrukturën kryesore dhe mbështetur rimëkëmbjen ekonomike të territorit.
Sipas raportit, dëmet materiale në infrastrukturë kapin vlerën e 35.2 miliardë dollarëve, ndërsa humbjet ekonomike dhe sociale arrijnë në 22.7 miliardë dollarë. Sektorët më të goditur janë strehimi, shëndetësia, arsimi, tregtia dhe bujqësia.
Lufta në Gaza nisi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ku humbën jetën 1,221 persona nga pala izraelite, shumica civilë, bazuar në të dhëna zyrtare të përpunuara nga Agjencia Franceze e Lajmeve.
Si kundërpërgjigje, ofensiva ushtarake izraelite ka shkaktuar të paktën 72,549 viktima në Gaza, kryesisht civilë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit, të dhëna që konsiderohen të besueshme nga OKB-ja.
Raporti evidenton gjithashtu shkatërrime masive në infrastrukturë dhe jetën civile: mbi 371,888 banesa janë shkatërruar ose dëmtuar, më shumë se gjysma e spitaleve nuk funksionojnë, pothuajse të gjitha shkollat janë dëmtuar rëndë ose shkatërruar, ndërsa ekonomia e Gazës është tkurrur me 84%.
Rreth 1.9 milionë persona janë zhvendosur, shpesh më shumë se një herë, dhe mbi 60% e popullsisë ka humbur shtëpitë e tyre.
Raporti thekson se më të prekurit nga kjo krizë janë gratë, fëmijët, personat me aftësi të kufizuara dhe grupet në situata të brishta.





