Ambasada e Rusisë ka reaguar pas deklaratës së Policisë së Shtetit mbi sulmet kibernetike të ndodhura se fundmi në vendin tonë përmes platformës së Whatssap në telefonat e qytetarëve.

Në njoftim theksohet se nuk bëhet fjalë për hakera rusë, duke theksuar më tej se teksti i mesazhit të mashtruesve është shkruar në gjuhën portugeze.

“Në lidhje me kërkesën e një numri mediash shqiptare në adresë të Ambasadës për të sqaruar informacionin mbi gjoja “sulmet e hakerave rusë që vjedhin të dhënat e përdoruesve të WhatsApp” apo që “atakojnë redaksitë e mediave lokale” dëshirojmë të njoftojmë si më poshtë. Jemi të befasuar nga mosdëshira e një sërë gazetarësh/redaktorësh të faqeve online të mediave lokale për të kontrolluar informacionin burimor të publikuar. Në këtë rast bëhet fjalë për mesazhin e Policisë së Shtetit, në të cilin tregohet saktë dhe qartë se “përdorues të panjohur” janë përpjekur të kenë akses në llogaritë e WhatsApp. Në lidhje me këtë rregullatori shtetëror u bën thirrje qytetarëve të vendit të jenë vigjëlentë dhe të mos bien pre e mashtruesve. Në njoftim nuk përmenden hakera rusë apo çfarëdoqoftë. Për më tepër, teksti i mesazhit të mashtruesve, i sjellë në disa portale si shembull, është shkruar në gjuhën portugeze (!). Është për të ardhur keq që disa gazetarë vendas nuk mundën të bëjnë dallimin mes gjuhës së grupit roman dhe asaj të grupit sllav (u këshillojmë që në raste të tilla të përdorin të paktën një përkthyes automatik të shërbimeve të kërkimit).”

Në mbyllje të njoftimit, ambasada ruse i bashkohet thirrjes së Policisë së Shtetit të Shqipërisë drejtuar qytetarëve, që të mos bien pre e mesazheve të mashtruesve, të cilët kërkojnë ndarjen e ndonjë informacioni me ta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *