Kryeinspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari ka komentuar valën e arrestimeve të nisura prej disa ditësh nga SPAK, e cila kulmoi këtë të enjte me arrestimin e gjyqtares se Krujës, Enkeleda Hoxha dhe disa punonjësve të tjerë të kësaj gjykate.

I ftuar në studion e lajmeve në “Vizion Plus”, Hajdari theksoi se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit Të Organizua ka filluar të japë rezultate.

“Duket që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka hetuar për këtë çështje, sipas njoftimit të bërë, çështja është regjistruar më parë. Duket që është finalizuar një operacion i bazuar në prova, ku koka është gjyqtarja e Krujës, por zinxhiri që ka marrë pjesë për të liruar njerëz parakohe nga burgu ka qenë e madhe; për të realizuar një proces të tillë nuk është vetëm gjyqtari, por janë edhe segmente të tjera.  Është një punë që unë e kam ditur me kohë që SAPK do të fillojë të japë rezultate, për të cilat ne besuam. Me vjen keq që goditjet vijnë nga brenda gjyqësorit, por edhe kjo ka të mirat e veta: pa pastruar vetveten, qoftë prokuroria, qoftë gjykata nuk do të mund të godasin zyrtarët e korruptuar. Çështja në fjalë duket që është bazuar në hetime profesionale. Besoj që nuk ka shumë punë për të grumbulluar edhe prova të tjera shtesë. Besoj që shumë shpejt do të shkojë për gjykim.”

Duke marrë shkas që Prokuroria e Posaçme ka qenë jo pak e sulmuar nga segmente të politikes, Hajdari beson se SPAK do t’iu bëjë ballë presioneve.

“Ka qenë një strukturë që duhet krahasuar me fëmijën e lindur, është rritur tashmë, ka marrë formën e duhur. Shumë shpejt do të shohim që SPAK do të fillojë të japë rezultate, gjithnjë duke u bazuar në prova. Krimi në Shqipëri është shumë i përhapur, kemi krim të organizuar, korrupsion, por çdo goditje duhet të jetë e bazuar në prova dhe çështja mos të cedojë gjatë rrugës. Një pjesë e politikës në Shqipëri ka qenë kundër reformës në drejtësi. Kam besim të plotë që SPAK do të përballojë presionin poliitk, çdo prokuror që punon mjafton të bëjë punën e tyre të ndershme. Duhet të jemi vigjilentë. Ky rasti i Krujës duhet të shërbejë si këmbanë alarmi, tregon që SPAK ka hapur sytë në Shqipëri dhe duan me çdo çmim që përfaqësues të krimit të organizuar dhe korrupsionit të jenë larg nga këto zgjedhje. Gjyqtarët dhe prokurorët janë në qendër të opinionit publik, ata nuk janë e keqja e Shqipërisë, ata janë pjesë e shopërisë, politika ka qenë ajo që e ka diskretituar organin gjyqësor dhe prokurorinë. Është një histori që i përket të shkuarës. Organet e vettingut tashmë duhet të shtojnë filtrat.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *