Muzeu i prodhuesit të njohur francez të qelqit luksoz Lalique, në verilindje të Francës, është grabitur nga persona të maskuar, të cilët kanë vjedhur bizhuteri kristali me vlerë rreth 4 milionë euro.
Sipas raportimeve, disa autorë të maskuar hynë me forcë në muze, thyen gjashtë vitrina ekspozimi dhe u larguan me 20 bizhuteri kristali. Pas ngjarjes, muzeu do të qëndrojë i mbyllur për disa ditë, ndërsa autoritetet vlerësojnë dëmet dhe marrin masa për forcimin e sigurisë.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, drejtuesit e muzeut konfirmuan se xhandarmëria ndërhyri menjëherë dhe se hetimet për zbardhjen e ngjarjes janë në vijim.
Kryetari i bashkisë së Wingen-sur-Moder, Christian Dorschner, deklaroi se autorët dukeshin të mirëinformuar, pasi shkuan direkt te koleksioni i bizhuterive. Sipas tij, sistemi i alarmit funksionoi normalisht, por kompania private e sigurisë nuk njoftoi menjëherë policinë.
Autoritetet po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë, ndërsa hetimi është marrë në dorë nga njësia e hetimeve kriminale e xhandarmërisë së Bas-Rhin.
Mediat franceze raportojnë se muzeu ishte vendosur nën mbikëqyrje të shtuar pas grabitjes së bujshme në Muzeun e Luvrit në tetor 2025, ku u vodhën bizhuteri dhe objekte të çmuara me vlerë rreth 102 milionë dollarë.
/vizionplus.tv





