Qeveria ndryshoi buxhetin e shtetit 2026 për herë të parë për këtë vit.
Të dhënat fiskale tregojnë se janë rreth 20 miliard lekë shtesë që kanë hyrë në buxhet, të cilat do të rishpërndahen në sektorë më në nevojë.

50 % e të ardhurave shtese shkojnë për Ministrinë e Mbrojtjes si pjesë e angazhimit si vend anëtarë i NATO-s. Ndërsa pjesa tjetër shpërndahet për indeksim dhe bonus për pensionistët, për mbështetjen e personave me aftësi të kufizuar dhe për kujdestarët e tyre, për rritjen e fondit për barnat tek onkologjiku, për garancinë sovrane për bizneset etj. Ndryshimet kanë një karakter social.
“Ky akt normativ reflekton atë që duhet të bëjë çdo qeveri, paratë shtesë duhet t’i kthehen qytetarit. Ndaj përveç angazhimit tonë si vend anëtar i NATO-s për të përmbushur detyrimin për buxhetin e këtij sektorit, çdo fond shtesë i vjen në ndihmë qytetarëve nga fusha të ndryshme. Stabiliteti ekonomik dhe sektorët si turizmi shërbimet apo ndërtimit janë ato të cilët kanë përformuar mirë në këtë ecuri të mbledhjes së të ardhurave”, tha zv/minsitri Yzeiraj në Vizion Plus.
Por për ekspertin Eduard Gjokutaj qeveria prej dy vitesh ka një fytyrë pak më sociale në planifikimin e buxhetit.
“Qeveria po bën atë që nuk e ka bërë prej vitesh. Po i jep buxhetit një fytyrë pak më sociale. Tre janë arsyet pse qeveria ka më shumë fokus ndaj kësaj kategorie. Së pari janë efektet e inflacionit që kanë shtrenjtuar jetesën, së dyti është performanca ekonomike dhe paratë shtesë në buxhet dhe së treti janë dhe presioni qytetarë që vjen nga protestat e kohëve të fundit që kanë shfaqur një zemëratë ndaj problemeve dhe sfidave të jetesës”, tha Gjokutaj
Ky ishte akti i parë normative për këtë vit. Ekspertet thonë se kjo praktikë po kthehet në normë dhe kjo nuk është rruga e duhur, pasi shifrat dhe politikat e buxhetit kanë nevojë të debatohen.
/vizionplus.tv





