Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, priti në një takim anëtarët e Komisionit për Çështjet Ligjore dhe të Konsumatorit në parlamentin gjerman.

 

Delegacioni i kryesuar nga kryetari i këtij Komisioni Stephan Brandner, përbëhej nga përfaqësues të të gjithë spektrit politik të Bundestagut: CDU/CSU, SPD, FDP, Të Majtët, Aleanca 90/Të Gjelbrit dhe AfD.

 

Në qendër të diskutimit, sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Drejtësisë, ishin reformat e ndërmarra nga Qeveria Shqiptare, të cilat synojnë forcimin e shtetit ligjor në vend dhe njëkohësisht përmbushjen e standardeve të kërkuara nga procesi i integrimit evropian të vendit.

 

Ministrja Gjonaj falenderoi deputetët gjermanë për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit në familjen evropiane dhe i ka siguruar se Qeveria është e fokusuar maksimalisht në plotësimin e të gjitha prioriteteve të kërkuara për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.

 

Në këtë kontekst një vend të rëndësishëm zë Reforma në Drejtësi. Sipas ministres Gjonaj, rezultatet e para të procesit të Vetingut janë pritur me optimizëm.

 

Deputetët gjermanë shprehën interes lidhur me ecurinë e reformës, krijimin e institucioneve të reja të Drejtësisë dhe bllokimin e amendamenteve të paketës së reformës në parlament.

 

Lidhur me çështjen e ngritur nga delegacioni gjerman për mënyrën se si do të plotësohen vakancat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të krijuara nga vetingu, Ministrja Gjonaj është shprehur se mazhoranca ka bërë përpjekjet maksimale për miratimin e ndryshimeve ligjore për kuotat e reja për Shkollën e Magjistraturës, miratim i cili nuk u arrit për shkak të mosvotimit të tyre nga opozita.

 

“Tani pritet ngritja e dy këshillave me qëllim që të përcaktohet numri i studentëve që do të ndjekë Shkollën e Magjistraturës për t’u përfshirë më pas në sistem si gjyqtarë ose prokurorë”

 

Masat antikorrupsion të Qeverisë ishin një tjetër temë e rëndësishme për të cilën deputetët gjermanë treguan interes të veçantë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *