Gjykata Islamike Revolucionare e Iranit ka ngritur aktakuzë kundër gazetares Zeinab Rahimi për gjoja “përhapjen e gënjeshtrave dhe shkeljen e mirësjelljes publike”, pasi ajo kishte komentuar rreth vdekjes së 17-vjeçares Armita Garavand.

 

Garavand vdiq muajin e kaluar pas një konfrontimi me të ashtuquajturën polici e moralit.

 

Rahimi shkroi në rrjetet sociale më 12 nëntor se ajo dhe avokati i saj morën pjesë në një seancë dëgjimore në rastin e saj dhe se është liruar me kusht në pritje të vendimit të gjykatës.

 

Hollësitë e aktakuzës kundër Rahimit nuk u bënë të ditura, por ajo ishte thirrur nga gjykata edhe në të kaluarën për akuza të ngjashme, bashkë me gazetaren e ekonomisë, Maryam Shokrani.

Radhimi është gazetarja e pestë që përballet me ligjin vetëm pse kishte komentuar rreth vdekjes së Garavandit, gjë që vë në sipërfaqe luftën e Qeverisë iraniane ndaj atyre që e ngritin zërin në rrjetet sociale, si dhe shqetësimet e saj se vdekja e adoleshentes mund të shkaktojë trazira të ngjashme si ato të shtatorit 2022 pas vdekjes së Mahsa Aminit.

 

Ndërkohë, gazetarja e ekonomisë, Saeedeh Shafiei, u thirr nga gjykata për ta kryer një dënim me tri vjet e gjashtë muaj burgim, i cili iu shqiptua në korrik, gjoja se kishte bërë “kontrabandë kundër sistemit”, si dhe “kishte mbledhur informata dhe kishte bërë marrëveshje të fshehta kundër sistemit”.

 

Një gazetare tjetër, Nasim Sultanbegi, mori dënim të ngjashëm për rastin e njëjtë.

 

Ndëshkimet e rënda që po u bëhen gazetareve tregon për mosbindjen e grave dhe nxënëseve, gjë që shihet si kërcënimi më i madh ndaj Qeverisë islamike prej revolucionit të vitit 1979.

 

Disa mijëra të tjerë janë arrestuar prej se vdiq Amini në paraburgimin policor, ku po mbahej për gjoja shkeljen e ligjit të shamisë, përfshirë shumë protestues, avokatë dhe aktivistë./REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *