Mbrëmja e gjashtëmbëdhjetë e spektaklit Ferma VIP, solli në ekranin e Vizion Plus një tjetër natë plot emocione, tensione, debate të forta dhe surpriza që pritet të ndryshojnë dinamikat e lojës.
Nën drejtimin e Vita Production, reality show i rekordeve vijon të dominojë audiencën në të gjitha trevat shqipfolëse, ndërsa gjatë spektaklit u bë publik edhe lajmi se “Ferma VIP 3” ka arritur plot 1 bilion shikime në Instagram në vetëm 50 ditë transmetim.
Një televotim i hapur prej ditës së premte ka mbajtur në ankth 9 të nominuarit. Ku mes tyre tre fermerët më pak të votuar rezultuan Henri, Blerina dhe Bujaka. Si pasojë ata u përballën në një sfidë, nga e cila doli fitues Bujaka, ndërsa Henri dhe Blerina kaluan menjëherë në një televotim kokë më kokë. Njëri prej tyre do të ndërprerë të premten rrugëtimin, e vendimi i takon vetëm publikut.
Një nga temat më të komentuara të mbrëmjes ishte padyshim krisja e miqësisë mes Kostanës dhe Zhakut. Megjithatë, për një pjesë të fermerëve, i gjithë konflikti mes tyre është i stisur.
Debati mori një tjetër dimension kur në studio ndërhyri edhe Moza Ahmeti, e cila mbrojti Kostanën dhe deklaroi se Zhaku dukej në një gjendje të rënduar psikologjike. Kjo deklaratë solli reagimin e ashpër të Zhakut, duke ndezur një tjetër debat të fortë.
Një tjetër risi e rëndësishme e mbrëmjes ishte prezantimi i platformës “Vitamina”, një hapësirë e re online ku publiku mund të mbështesë fermerin e preferuar jo vetëm me vota. Përmes faqes vitamina.vizionplus.tv, ndjekësit do të kenë mundësinë të hyjnë virtualisht në fermë dhe të shprehin publikisht mbështetjen për banorët favoritë.
Në fund, spektakli solli edhe një nga momentet më emocionuese të kësaj nate. Ilir Shaqiri u përball me një shaka, ku iu tha se vajza e tij Emily ishte martuar pa praninë e tij. Por surpriza u kthye shpejt në lumturi, kur Iliri u takua me vajzën e tij dhe partnerin e saj.
Spektakli i mbrëmshëm ishte një pasqyrë e vërtetë e intensitetit që po fiton loja javë pas jave. Tashmë mbetet për t’u parë se çfarë do të sjellë televotimi dhe si do të evoluojnë dinamikat mes fermerëve, ndërsa ju mos harroni t’i ndiqni 24 orë në 7 ditë të javës në dy kanalet e dedikuara, si dhe në përmbledhjen ditore në Vizion Plus.





