Subscribe

Në hetimet që prokuroria e krimeve të rënda po kryen për 3.4 milionë eurot e sekuestruara rreth një vit më parë në makinën Toyota Yaris, po bashkëpunojnë edhe hetuesit belgë, të cilëve u është kërkuar të marrin në pyetje personin që ka shitur mjetin në fjalë.

 

Burime nga organi i akuzë konfirmojnë për Vizion Plus se shitësi i Toyotës është identifikuar, por nuk është mundur të sigurohet dëshmia e tij, për shkak se nuk është gjendur ende.

 

Po ashtu, përfaqësues të akuzës shqiptare, nëpërmjet letërporosive i kane kërkuar informacion palës belge për të verifikuar edhe personat e tjerë që kanë shitur të gjitha makinat Toyota te cilat ndodheshin në kamion.

 

Nga verifikimi i dokumentacionit rezulton se Toyota Yaris ku gjendeshin paratë ishte porositur nga Alban Mollaymeri, tashmë i arrestuar. Por ky i fundit gjatë dëshmisë ka pohuar se ka një servis makinash dhe se Toyotat i ka porositur nëpërmjet të njohurit të tij, Alfred Vladi.

 

Nisur nga dëshmia e tij, prokuroria ka dyshime se Toyota Yaris është blerë nga Alfred Vladi dhe në dyert e makinës është fshehur edhe shuma e parave.

 

A.Vladi dhe kushëriri i tij Elvis Vladi vijojnë të jenë në kërkim. Ndërsa personi kyç që mund të ndihmojë prokurorinë është shtetasi belg.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *