Vetëm pak orë na ndajnë nga kurorëzimi i Miss Shqipëria 2026 dhe emocionet janë çdo minutë e më të forta për 25 finalistet që do të ngjiten sonte në skenën e Amfiteatrit të Pogradecit.Dita e fundit para spektaklit ka qenë e mbushur me angazhime intensive dhe përgatitje të pandërprera. Konkurrentet realizuan grimin për provën gjenerale, duke testuar paraqitjen e tyre për natën më të rëndësishme të këtij rrugëtimi.
Më pas, vajzat morën pjesë në inaugurimin e rrugës “Naim Frashëri”, një prej zonave më të rëndësishme historike të Pogradecit. Pas restaurimit të plotë, ndërtesat e kësaj lagjeje kanë rifituar pamjen autentike të dikurshme, duke ruajtur identitetin dhe vlerat historike që e karakterizojnë qytetin.
Pas aktivitetit, vëmendja u përqendrua sërish te prova gjenerale. Finalistet dhe stafi realizuan detajet e fundit të spektaklit, duke koordinuar çdo element që do të sjellë në skenë një mbrëmje plot emocion, elegancë dhe surpriza.Ndërkohë, në Amfiteatrin e Pogradecit gjithçka është gati për natën finale. Spektakli do të shoqërohet nga performancat e artistëve të njohur Loree, Stine, Stresi, Devis Xherahu grupi Fisnikët etj, të cilët pritet t’i japin edhe më shumë energji mbrëmjes.
Pas javësh të tëra përgatitjesh, sfidash dhe eksperiencash të paharrueshme, sonte do të zbulohet emri i vajzës që do të mbajë kurorën e Miss Shqipëria 2026. Gjithçka transmetohet live në orën 21.00 në Vizion Plus, në një mbrëmje që premton emocion, spektakël dhe shumë surpriza.





