Nata e 21-të e Ferma VIP 3 në ekranin e Vizion Plus solli sërish emocione të forta, debate, surpriza dhe dy eliminime që ngushtuan edhe më shumë garën për çmimin e madh.
Vëmendja kryesore e kësaj nate ishte përqendruar te televotimi i javës, ku përballë publikut ishin Zhaku, Sara dhe Iliri. Pas një jave votimesh, publiku vendosi që rrugëtimi në fermë të përfundonte për Inida Gjatën, e njohur si Zhaku.
Pas eliminimit të parë, spektakli vijoi me analizën e disa prej ngjarjeve më të komentuara të javës. Një prej tyre ishte krisja e raportit mes Soni Malajt dhe Sara Karajt. Një debat gjatë një loje solli tensione mes dy fermereve, ndërsa në studio u rikthye edhe diskutimi i nisur javën e kaluar mbi aludimet për një afrim më të madh mes Sonit dhe Ilirit.
Një tjetër moment i fortë ishte ballafaqimi mes Ilirit dhe Mimozës pas debatit të ashpër për çështje kombëtare.
Mes emocioneve dhe tensioneve, mbrëmja rezervoi edhe një surprizë prekëse për Mimoza Ahmetin. Poetja u takua me mbesën e saj, e cila kishte udhëtuar posaçërisht nga Londra për ta surprizuar. Takimi mes tyre solli emocione të forta, ndërsa Moza shprehu krenarinë për mbesën e saj.
Më pas, gara hyri në një fazë vendimtare. Nëntë fermerët e mbetur u përballën me një sfidë individuale që kishte në qendër balancën. Secili prej tyre duhej të kalonte mbi një fuçi pa u rrëzuar, por askush nuk arriti ta përfundonte me sukses provën.
Dështimi i të gjithë fermerëve bëri që ata të kalonin automatikisht në një televotim të menjëhershëm, i cili zgjati vetëm pak minuta.
Në fund ishte publiku ai që mori vendimin për eliminimin e dytë të mbrëmjes. Kostana Morava rezultoi fermerja më pak e votuar, duke ndërprerë përfundimisht rrugëtimin e saj në Ferma VIP 3 dhe duke humbur mundësinë për të qenë pjesë e finales së madhe.
Në mbyllje të spektaklit u hap edhe një kapitull i ri i garës. Fermerët zgjodhën që në televotimin vendimtar të përballeshin Moza dhe Romirit. Publiku do të ketë tashmë në dorë fatin e tyre, duke votuar për të shpallur finalistin e parë të Ferma VIP 3.
Me vetëm pak ditë që na ndajnë nga finalja e madhe e 15 qershorit, gara bëhet çdo ditë më e fortë, ndërsa çdo televotim mund të ndryshojë gjithçka.





