Këngëtarja e famshme botërore, me origjinë shqiptare, Dua Lipa dhe aktori Callum Turner po zhvillojnë këto ditë në Palermo të Siçilisë pjesën e dytë dhe më spektakolare të festimeve të martesës së tyre, vetëm pak ditë pas ceremonisë civile private që u mbajt në Londër më 31 maj.
Çifti, i cili u fejua gjatë verës së vitit 2025 dhe bëri paraqitjen e parë publike si çift në fillim të vitit 2024, zgjodhi Italinë për të festuar së bashku me familjarë dhe miq në një program disa-ditor aktivitetesh.
Festimet nisën me një koktej para dasmës në qendrën historike të Palermo. Në darkën e parë të festimeve në Itali, Dua Lipa u shfaq me një fustan të bardhë të personalizuar nga Bottega Veneta, i dizajnuar nga Louise Trotter. Fustani elegant me shpinë të hapur dhe detaje me pupla u kombinua me një çantë të ngjashme dhe bizhuteri me diamante, duke i dhënë artistes një pamje magjepsëse. Ndërkohë, Callum Turner zgjodhi një kostum ngjyrë bezhë të kombinuar me këmishë krem dhe syze dielli të zeza, duke ruajtur një stil elegant, por të relaksuar.

Mes të ftuarve të njohur ishin Charli XCX me bashkëshortin e saj George Daniel, aktori Joe Alwyn, këngëtari Troye Sivan, producenti muzikor Mark Ronson me bashkëshorten e tij Grace Gummer, si dhe anëtarë të familjes së Duas, përfshirë motrën e saj Rina Lipa dhe babanë Dukagjin Lipa.
Aktivitetet po zhvillohen në disa prej vendeve më prestigjioze të Siçilisë, me fokus te Villa Igiea dhe pallate historike të qytetit. Sipas raportimeve ndërkombëtare, festimet do të zgjasin deri më 7 qershor dhe do të përfshijnë aktivitete në lokacione të ndryshme në Palermo dhe zonën e Bagheria.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë çiftin shumë të lumtur, me Dua Lipën duke kërcyer në ballkon dhe më pas në një moment romantik së bashku me Callum Turner. Sipas mediave, ceremonia kryesore e dasmës pritet të zhvillohet këtë të shtunë, ndërsa festimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
/vizionplus.tv
View this post on Instagram





