Partia Demokratike voton sot ekipin e kandidatëve për deputetë me të cilin do të garojë në zgjedhjet e 11 majit. Të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike kanë të drejtë të përzgjedhin mes rreth 300 kandidatëve politikanin që dëshirojnë t’i përfaqësojë në parlamentin e ardhshëm.
“Kjo është një ditë e rëndësishme për PD, për pluralizmin politik dhe për lirinë. PD prin në betejën e saj për liritë dhe të drejtat e saj,” tha Berisha.
Procesi i votimit ka nisur në orën 08:00 të mëngjesit dhe qendrat do të qëndrojnë hapura deri në orën 18:00. PD nuk ka një listë të saktë anëtarësh, por të gjithë demokratët që kanë kartën e anëtarësisë janë ftuar të marrin pjesë në primare. Meqenëse sistemi zgjedhor është ndërtuar mbi bazën e 12 qarqeve, edhe primaret zhvillohen në bazë qarku. Numri më i lartë i kandidatëve që marrin pjesë në primare i përket qarkut të Tiranës, ku garojnë 82 kandidatë.
Në procesin e primareve marrin pjesë shumica e grupit aktual të deputetëve, me përjashtim të 5 deputetëve që janë kundër primareve ose që kanë vendosur të tërhiqen nga parlamenti.
Pavarësisht se vota në primare tregon mbështetjen e figurave politike tek demokratët, ky proces nuk përzgjedh automatikisht ekipin e kandidatëve për deputetë. Vendimi final se kush do të jetë kandidat për deputet i PD-së, kush do të jetë në pjesën e mbrojtur të listës apo në pjesën e hapur, do të merret më 12 mars në Kryesi.
Kryetari i partisë dhe drejtuesit politikë në qarqe, të cilët përbëjnë 19 figurat kryesore të PD-së, nuk garojnë sot në primare dhe ata do të udhëheqin listën e kandidatëve për deputetë në secilin qark.
/vizionplus.tv





