Parlamenti nisi me debate mes kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali dhe kreut të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi që kërkoi ndërprerjen e seancës me pretendimin se kishte mungesë kuorumi.
“Sipas rregullores dhe çdo organi kolegjial, mbledhja e Kuvendit nuk mund të fillojë pa patur minimalisht 70 deputetë në sallë. Është përgjegjësia e Kryetares që të nisë seancën vetëm kur ky kuorum është i plotësuar. Ndërprit seancën, mblidh deputetët e më pas nisim seancën, mos i hyni një rruge në kundërshtim me ligjin”, tha Bardhi.
Pasi Spiropali vendosi të vazhdojë seancën, debatet u përqendruan te procesi zgjedhor i 11 majit dhe pretendimet e opozitës për blerje votash.
“11 maji ishte një farsë elektorale. Pushteti i mazhorancës nuk ka asnjë legjitimitet për sa kohë nuk buron nga vota dhe vullneti i qytetarëve. E kthyet 11 majin në treg votash. Në çdo qytet, aty ku ka pasur dikur treg kafshësh, ju ndërtuat tregje të votës, ku liria dhe zgjedhja u shitën dhe u blenë në mënyrën më të turpshme”, tha deputeti demokrat Flamur Noka.
“Pastaj jeni turrur pas 130 mijë të ashtuquajtura vota, por kjo më kishin thënë se e kishte thënë Flamuri në një studio se paska futur 500 GPS në zarfe dhe këto GPS na paskan ngelur në Londër. O Flamur kjo që thua ti është vepër penale se identifikimi dhe gjurmimi i votës është vepër penale”, tha ministri Taulant Balla.
Sipas Ballës, PD po i shmanget betejës së brendshme dhe refuzon të mbajë përgjegjësi në nivel lideri për humbjen në zgjedhje.





