Në skenën e teatrit Teatri “Andon Zako Çajupi” janë rikthyer këngët e kompozitorit të njohur grek Mikis Theodorakis. Koncerti mban emrin “Zorba the Greek”, një nga kolonat zanore më të famshme për muzikën dhe kinemanë greke. Artur Vera solli emocionet e këngëve helenase, i shoqëruar në piano nga Erita Ibrahimi.
“Korça është një ndër qytetet e vetme në Shqipëri që mirëpret artistët dhe i thërret. Jemi shumë mirënjohës. Ndihem i emocionuar sepse publiku e do këtë muzikë. Nëse gjërat bëhen me zemër, funksionojnë”, tha Artur Vera, bariton.
“Ky ishte një koncert i mrekullueshëm. Kemi përzgjedhur repertorin e Mikit si kompozitori më i rëndësishëm grek. Kemi lidhje diplomatike me të, kemi traditë, shqiptarë që jetojnë në Greqi. Ishte kënaqësi e veçantë, sepse Korça është artdashëse e muzikës greke”, deklaroi Etrita Ibrahimi, pianiste.
Mbrëmja u gjallërua me praninë e instrumentistit Panagiotis Lympanovnos.
“U ndjeva mirë në Korçë. Dukët që ju na doni dhe ne ju duam. Këtu pothuajse të gjithë kuptojnë dhe flasin greqisht. Kam ardhur edhe më parë në këtë qytet që i mirëpret artistët. Muzika i bashkon popujt dhe këtë e dëshmoni ju më mirë se kushdo”, u shpreh Panagiotis Lympanovnos, instrumentist.
Një element i veçantë i këtij koncerti ishin edhe vargjet poetike që sillnin jetën bregdetare të vendit fqinj, të recituara nga aktori korçar Xhuliano Brisku.
“Poezia ka një të përbashkët me ndjesinë shqiptare. E veçanta është se këta këndojnë dhe unë recitoj; unë recitoj shqip, ata greqisht. Janë përkthime të këngëve më të mëdha të Mikis Theodorakis”, tha Xhuliano Brisku, aktor
Në fund, koncerti “ZORBA” nuk ishte vetëm një rikthim i muzikës së pavdekshme të Mikis Theodorakis, por edhe një dëshmi e gjallë se arti kapërcen çdo kufi. Mes tingujve, poezisë dhe emocioneve, Korça tregoi edhe një herë se mbetet një qytet që jo vetëm e do artin, por e jeton atë.




