Stokholmi zyrtar mbështet Tiranën sa i përket procesit të integrimit. Në një intervistë për Vizion Plus, deputeti me origjinë shqiptare në parlamentin suedez, Arbër Gashi theksoi puna që po bën vendi ynë deri më tani do të sjellë frytet e saj.
“Suedia mbështet Shqipërinë sa i përket procesit të integrimit. Objektivat e lëna deri në vitin 2030 për t’u bërë pjesë e unionit janë të arritshme. Plotësimi i reformave dhe kushteve nga Bashkimi Europian janë tejet të rëndësishme por deri më tani është bërë një punë e mirë nga Shqipëria”, tha Gashi.
Për Gashin i rëndësishme në këtë proces mbetet edhe bashkëpunimi mes palëve politike. Ai jep edhe raste se si mazhoranca e opozita janë bashkuar në parlamentin suedez.
“Kjo situatë në një farë mënyrë duket e pahijshme. Në Suedi, kur u bë procesi i anëtarësimit në NATO, pozitë dhe opozitë ishin bashkë për të arritur qëllimit. Jam i mendimit se palët duhet të ecin së bashku në këtë process i cili vjen jo vetëm për Kuvendin por më së shumti për qytetarët shqiptarë”, shtoi Gashi.
Sa i përket procesit të integrimit në bashkimin europian vendi ynë tashmë ka hapur të gjithë grupkapitujt ndërsa pritet drita jeshile nga vendet anëtare për hapjen e piketave të ndërmjetme.





