Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanë evidentuar dhe goditur një tjetër rast në këtë fushë.
Si rezultat, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi Sebastian Temples, 28 vjeç, banues përkohësisht në një ambient të marrë me qira në fshatin Sheqishte, Patos.
Nga kontrolli i ushtruar ndaj tij dhe automjetit (të marrë me qira) që ky shtetas drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, e cila dyshohet se do të shpërndahej me qëllim përfitimi financiar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.





