Subscribe

Quo Vadis, emisioni më i ri i aktualitetit politik në Vizion Plus, nisi rrugëtimin e tij mbrëmjen e të hënës. Moderatorja Pranvera Borakaj u fokusua në premierën e këtij talk show tek debati publik i momentit: ndryshimet e Kodit Zgjedhor të miratuara së fundmi në Kuvend.

 

Personazhet më të rëndësishëm politikë që janë marrë me këtë proces, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, ishin pjesë e panelit të parë të emisionit, duke ndarë me shikuesit e “Quo Vadis” objeksionet e tyre mbi këtë çështje.

 

Ndonëse ndryshimi i fundit ishte i 13 në legjislacionin zgjedhor, përfaqësuesit e dy forcave më të mëdha e kanë të vështirë të pohojnë nëse kodi i ri do të garantojë një proces elektoral në 25 prill më të mirë sesa zgjedhjet e kaluara.

 

Gjiknuri mes të tjerash pranoi edhe faktin që rekomandimet e OSBE-ODIHR nuk u reflektuan në marrëveshjen politike te 5 qershorit e se ulja e pragut shton rrezikun për qeverisje më të brishtë dhe zgjatje të procesit për numërimin e votave.

 

“Në ndryshimet e 5 qershorit nuk janë reflektuar rekomandimet e OSBE-ODIHR. Aty më shumë u shkua drejt një marrëveshjeje politike me qëllim që opozita të ndjente rehatinë e saj për të hyrë në zgjedhje, por rekomandimet u anashkaluan. Ndryshimet e fundit që u votuan në Kuvend nuk kanë të bëjnë me rekomandimet e OSBE-ODHIR, janë për ndryshimet kushtetuese. Ne duam që partitë opozitare të ndiejnë barazinë e garës dhe të futen në garë. Nuk duam të bojkotojnë procesin përsëri. Për zgjedhjet politike me e rëndësishme është besimi tek gara”, tha Gjiknuri.

 

Përfaqësuesi demokrat, Oerd Bylykbashi evidentoi gjatë diskutimit në studion e “Quo Vadis” një shqetësim të madh aktual të selisë blu. Ai ngriti alarmin se ka nisur të evidentohet në terren fenomeni i blerjes së votave, ndaj i bëri thirrje SPAK që të nisë hetimin.

 

“Blerja e votës që është korrupsion zgjedhor i shkon SPAK. Por, SPAK nuk ka për detyrë të shkojë pas atyre 100 mijë lekëshave të një administratori publik. Ky është testi më i madh për SPAK. SPAK thyen kokën pas këtij problemi nëse nuk vepron. Duhet të fillojë tani detyrën sepse blerësit e votave të PS janë në terren. Tani duhet t’i përgjojë dhe t’i kapë. Korrupsioni më i rrezikshëm në Shqipërisë është ai politik. Të ngrihen task-forcat dhe të jenë gati.”

 

Ndërkohe, Astrit Patozi, një nga ish-figurat më të rëndësishme të PD nder vite, sot drejtues i Bindjes Demokratike hodhi dyshime për një marrëveshje të fshehtë Rama-Basha, duke i konsideruar këta dy liderë politikë si të vetmit oligarkë që ka Shqipëria. Por Patozi konfirmoi se ndryshimet në Kod, Bindja do t’i dërgojë në Kushtetuese.

 

“Reagimet e ndërkombëtarëve janë më të buta sesa unë do të doja, edhe pse në tërësi janë kontestuar. Ata thonë se kjo është një marrëveshje e njëanshme. PS preu në besë të gjitha palet, opozitën brenda dhe jashtë. Ky ndryshim Kodi u intereson dy personave, Bashës dhe Ramës. Kam një dyshim të madh sepse edhe deklarata e Bashës sot ishte shumë më e butë sesa ajo e SHBA dhe Partive Popullore Europiane apo edhe me Metën. Kur e shoh që reagon kaq butë, me lë të dyshoj që edhe Basha është i kënaqur nga ndryshimet. Basha është sot i rehatuar me atë që ka ndodh në Parlament.”

 

Por, “Quo Vadis” doli jashtë kornizës politike, duke sjellë në vëmendje edhe opinionin e ekspertëve më në zë në vend për çështjet zgjedhore, të cilët kritikuan formën me të cilën u kaluan këto ndryshime, e që më së shumti i evidentuan si “pazar politik” sesa reformë e mirëfilltë për përmirësimin e sistemit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *