“Fate shkrimtarësh dhe gazetarësh”, – është titulli më i fundit që ka dalë në treg dhe mban emrin e gazetarit dhe publicistit të njohur Arshin Xhezo.

 

Ky botim, i shtëpisë botuese “Naimi” është një përmbledhje shkrimesh, analizash, dokumentesh dhe ngjarjesh para dhe pas viteve ’90. Disa prej tyre janë publikuar, të tjerat janë lënë në dorëshkrim.

 

Ne kete libër Arshin Xhezo, i cili ka nderruar jete nje vit me pare, trajton problematikat më të mprehta të gazetarisë, si censura në diktaturë e autocensura në demokraci, ruajtjen e shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri dhe probleme të artit, kultutës dhe letërsisë.

 

Vizion Plus ka shkëputur parathënien e këtij libri, i cili është lënë dorëshkrim nga gazetari në 70-vjetorin e lindjes. Ajo eshte realizuar nga gazetari dhe botuesi Naim Zoto dhe Akademik Shaban Sinani.

 

Arshin Xhezo dhe fati i brezit ‘70

 

Gazetari Arshin Xhezo i pa vitet më të vështira të vendit të tij, të Shqipërisë, përmes syrit të ciklonit. Si kryeredaktor i Zërit të popullit, ai kishte statusin e të ftuarve të përhershëm në të gjitha mbledhjet e Sekretariatit të KQ të PPSH, të Byrosë Politike dhe të Plenumit, forumet kryesore të politikës së kohës. Ne nuk e dimë se si e pa ai shtetin e vet në ato vite të kapërcyellit, nga udhëheqësi historik komunist (Enver Hoxha) tek një leader i ri (Ramiz Alia), por e dimë shumë mirë se Shqipëria në vitet 1980 kaloi një gjendje traumatike, të cilën ai e pa së brendshmi, në mbledhjet ku merrte pjesë, duke përfshirë pikën të ndryshme, dhe në të njëjtën kohë duhej ta lartësonte përditë së jashtmi në tribunën që drejtonte. Duhej, madje, ta lartësonte jo vetëm si realitet, por dhe si rend shoqëror dhe ekonomik. Autori i librit të ri Fate shkrimtarësh dhe gazetarësh nuk deshi t’ia dinte për dëshminë e tij, megjithëse kishte për të dëshmuar më shumë se kushdo tjetër. Nuk iu bë dëshmitar një kohe që kishte nevojë për dëshmi. Ndoshta, pse e pa këtë kohë përmes pasqyrave të shtrembra të dëshmitarëve të pabesueshëm, ndoshta, pse vetë dëshmia që mund të na ofronte iu duk e frikshme, ndoshta pse thjesht nuk donte të na e pohonte se çfarë kishte parë e dëgjuar.

 

Arshin Xhezo ishte një autoritet në publicistikën shqiptare të viteve 1970-1980. Libri i tij, me titull Fate shkrimtarësh dhe gazetarësh, të cilin mund ta nëntitullonim lirisht Sprovë për një histori të vërtetuar të gazetarisë shqiptare të kësaj periudhe, përgatitur për botim nga shtëpia botuese Naimi, në 70-vjetorin e lindjes së autorit, mund të vlerësohet si një pikë referimi për të kuptuar rolin e medias, kulturës dhe shkrimtarëve në raport me diktaturën.

 

Ai i takon atij brezi gazetarësh që hyri në jetën publike kur shtypi ishte bërë tërësisht i partishëm. Ishte një brez që hyri në morsë, një brez që shtypi e shtypi. Nisi të punojë në më të madhen të përditshme të Shqipërisë, Zëri i popullit, që dilte në 150-160 mijë kopje, në një kohë kur disiplina ideologjike ishte rreptësuar në shkallën më të lartë. Ishin vitet e luftës kundër ndikimeve borgjezo-revizioniste dhe shfaqjeve të huaja në jetën e njerëzve. Makineria totalitare e kishte nënshtruar thuajse gjithçka në fushë të mendimit, të ideve dhe të rendit shoqëror, ndonëse tamam në atë periudhë pati një pranverë të druajtur, së cilës do t’i shkonin shumë për shtat vargjet i një kënge të njohur të T. Tërshanës kënduar në ato vite: Kujtova se erdh pranvera, / Por u gabova!

 

Duke qenë një nga gazetarët më me përvojë në median shqiptare në një kohë të ndërlikuar njëherësh dhe një prej kryeredaktorëve më jetëgjatë në drejtimin e Zërit të popullit; një gazetar që e kishte nisur punën në vitet e plenumeve spastrues, të kokave të prera, me histori e kontakte pa fund dhe me lloj-lloj personazhesh të medias e politikës së asaj kohe, pra, duke qenë një nga gazetarët më me përvojën në median shqiptare, shumëkush edhe sot mund të presë që në këtë libër të gjej kureshtitë dhe sekretet e dëshmitarit që ndoshta iku nga kjo botë i penduar për çka pa. Por jo, Arshin Xhezo edhe në këto refleksione shfaqet ndryshe nga shumë të tjerë. Si një nga gazetarët më qytetarë dhe më elitarë të shtypit shqiptar të asaj kohe, ai nuk preferon të na rrëfejë për historitë dhe dëshmitë e veta. Fate shkrimtarësh dhe gazetarësh është, në një farë mënyre, një histori prej së brendshmi e publicistikës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe në pasqyrë të saj edhe jeta profesionale e autorit.

 

Ky brez i gazetarëve të viteve 1970 e formoi idealin e vet duke besuar se Zëri i popullit ishte vërtet vox popoli. Ndryshe nga brezi i parë, ky brez nuk lidhej drejtpërdrejt as me antifashizmin, as me partishmërinë. Por besonte në një botë të re. Ndoshta, një besim naiv, por i pafajtë. Ja si e shpjegon autori raportin e brezit të vet me regjimin, duke iu referuar rastit të kolegut të tij, Xhevahir Spahiu:

 

Ç’i bëri, për shembull, Xhevahir Spahiut, Partia? Nxënës i shkëlqyer në shkollën e mesme dhe po aq i zoti si student në universitet, i njohur qysh atëherë si poet e gazetar i talentuar, ai nuk i kërkoi kujt ta emëronin në gazetën “Zëri i popullit”. U duhej, pa e kërkuan, pikërisht pse ishte i zoti dhe i talentuar. Kujt duhej t’ia dinte për nder dhe përse! “Ç’do të isha unë po të mos ishte Partia?” Unë personalisht? Dëgjo, or mik, këtu nuk është puna “personalisht”. Megjithatë, nëse do të dish edhe “personalisht”, ç’do të isha unë po të mos ishte Partia, po të them që do të isha në listën e më të pasurve të Shqipërisë, që shpallin gazetat dhe studimet universitare do t’i kisha kryer, në mos në Londër apo Paris, në Romë apo Athinë me siguri. Sepse im atë dhe gjyshi im kanë qenë pronarë tokash, vreshtash, ullinjsh e dyqanesh dhe tregtinë e duhanit e bënin në Bari e Selanik. Por unë, apo ne, hymë në Parti, dhe hymë me dëshirë, jo “për plakun apo për plakën”, siç thuhet, sepse prindërit e mi as kanë qenë anëtarë partie e as kanë pasur ndonjëherë merak për Partinë. Ne hymë në Parti sepse kishim ëndrrën e një shoqërie të drejtë, ku të gjithë të ishin të barabartë e jo të gjithë të varfër.

 

Duke lexuar librin e Arshin Xhezos Fate shkrimtarësh dhe gazetarësh shtrohet pyetja: A e kemi bërë ne përpjekjen për të kuptuar krizën e një breznie që u gjend në pararojë të opinionit publik pa ndonjë trashëgimi, për merita vetjake; brez që e mbushi veten me një ideal që, edhe pse utopik, ishte joshës; por që, kur e pa se ky ideal po shembej, mendoi se ishte përgjegjësi e tij së paku të ruante dinjitetin dhe qendroi atje ku e zuri hera? Madje, ky brez shtypi, i sakrifikuar apo i vetëflijuar, kur deshi të protestonte e të na jepte mësime, gati sa s’na tha hapur: pirdhuni të gjithë, e juaja qoftë kjo botë! Sepse, njerëzit mund të ndryshojnë bindje, por karakteri është pjesë e kodit të brendshëm të njeriut, nuk mund të ndryshojë sipas stinëve. Në këtë kuptim, Arshin Xhezo mbeti po ai që kishte qenë. Frika dhe servilizmi, kur janë “gjenetike”, nuk mund të kërkohen tek diktatura komuniste, – shkruan ai në librin e tij Arshini. – Nuk mund t’ua kishte fajin diktatura atyre gazetarëve që hanin darka dhe dreka me familjet e bllokmenëve të mëdhenj e të vegjël dhe bënin lolon e lajkaxhiun për ta; lavde në gazeta lloj-lloj partiakëve e qeveritarëve dhe trima të mëdhenj me kamerierë e brigadierë. Për fat të keq, ishin nga kjo lloj specie shumë prej atyre që, brenda 24 orëve, u konvertuan nga komunistë e gazetarë fanatikë, në demokratë të thekur… Thonë se, edhe për të fshehur mëkatet e tyre. Duke iu referuar gjendjes aktuale, me sytë e atij që ka pasur fatin a ndëshkimin të përjetojë nyjën ndërmjet dy epokave, në libër arrihet në këtë përfundim: Tanimë kemi sërish shkrimtarët e partisë, aktorët e partisë, këngëtarët e partisë, gazetarët e partisë, televizionet e partisë, historianët e partisë, gjyqtarët e partisë, piktorët e partisë, dizenjatorët e partisë, sindikatat e partisë.

 

Libri i Arshin Xhezos është i pangjashëm me shumë libra që kanë në qëllim ndriçimin e së shkuarës: i pagjashëm jo vetëm nga ai që priste lexuesi i zakonshëm si fabul, por edhe për shkak të thellësisë, larmisë dhe kompozimit të librit. Në këtë libër nuk gjen pothuaj asgjë personale të autorit, por, megjithatë, në këtë libër autori identifikohet dhe dëshmohet më mirë dhe më saktë se sa në shumë libra autobiografikë, një pjesë e madhe e të cilëve shkruhen apo publikohen për të manipuluar e retushuar pikërisht të shkuarën. Ky është libri më i rrallë i shkruar, ndoshta, nga një gazetar: ai nuk flet dhe nuk tregon për veten, megjithëse çdo fjali dhe paragraf i librit duket edhe si biografi e tij.

 

Libri nis me historinë e Fan Nolit, raportet e tij me Shqipërinë komuniste dhe E. Hoxhën, dhe përfundon me Xhevahir Spahiun. Pyetja se kush kanë qenë heronjtë dhe kush kanë qenë armiqtë është pyetja më e vështirë në Shqipërinë e sotme, shkruan Arshin Xhezo në libër. Nëse respektojmë fillimisht bindjen e autorit, se heronj as ka pasur, as ka, mund të guxojmë të pohojmë se karaktere, njerëz të gjallë, disa “miq”, disa “armiq”, të tjerë edhe “miq” edhe “armiq” njëkohësisht, të gjithë personazhe të këtij libri, të paktë dhe kryesisht në të shkuarën, mund të gjejmë përmes fakteve, ngjarjeve e përjetimeve që lidhen me emra të tillë të njohur, si Fan Noli, Petro Marko, Justina Shkupi, Vexhi Buhara, Xhevahir Spahiu, Mitrush Kuteli, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Todi Lubonja, Trifon Xhagjika, Kin Dushi, Edison Gjergo, Halil Qendro, Dhimitër Xhuvani e të tjerë. Shumica e tyre ishin miq të ngushtë të kryeredaktorit të Zërit të popullit dhe, në të njëjtën kohë, edhe njerëz nën vëzhgim si kundërshtarë të mënyrës së sundimit.

 

Libri i Arshin Xhezos nuk është një libër kujtimesh; edhe pse në libër tregohen edhe ndodhi e personazhe të jashtëzakonshme. Libri ka fate dhe histori të rënda të shtypit, letërsisë dhe kulturës shqiptare në totalitarizëm, histori të analizuara me mençuri, bukuri, dinamikë dhe mprehtësi, me fakte, dëshmi dhe dokumente autentike. Këtu gazetari ndihmon studiuesin dhe anasjelltas, duke bërë refleksione dhe analiza befasuese.

 

Ky është një libër për dramat e mëdha të gazetarisë e kulturës shqiptare përmes protagonistëve të vet, jo për lloj-lloj lepujsh e pulash që vegjetonin edhe aso kohe nëpër redaksira. Ky libër, më shumë se sa për censurën nga lart -këndvështrim i kudotrajtuar, flet për disiplinën ideologjike vullnetare, për totalitarizmin nga poshtë, për autocensurën – për të cilën pakkush rrëfehet apo flet publikisht. Ai flet me fakte e dëshmi për manipulimin e medias dje, në shoqërinë e kontrolluar apo të vetëkontrolluar, por edhe sot në-n demokraci, pra, në kushtet e lirisë. Dhe këtë e thotë jo si një denoncim prej disidenti të një kohe tjetër, por me shumë dhimbje, përmes dramës së njerëzve të shtypit, ku autori e identifikon edhe veten deri në fund:

 

Zhgënjimi është më i rëndë e më i hidhur kur të vjen nga ai që ke dashur; ide qoftë apo individ. Pra, “kur të keqen ta bën yti”, dhe jo e kundërta. Në këtë rast besoj se edhe “shkundja”, edhe reflektimi, bëhet më i ngadalshëm, por më i natyrshëm dhe divorci më i vendosur dhe pa kthim prapa, pavarësisht në e shpall divorcin apo jo. Por mendoj se ajo që e dallon intelektualin dhe shkrimtarin e talentuar e serioz është se humbja e idealit apo pasionit të vjetër, ideologjik apo partiak, nuk e gjen në befasi dhe “bosh”. Ideali i tij është humanizmi. Ky ideal, i mbrujtur qysh në lindje dhe i ushqyer tërë jetën me mund, sakrifica e talent, është veshja e brendshme e sigurt, e cila, e mban ngrohtë në “dimrat” e regjimeve dhe qeverive. Edhe kur thërrmohen e bien cipëzat e ideologjive, ajo është e mbetet prapë aty: e përhershme, e sigurt dhe besnike.

 

Arshin Xhezo, në gjithë librin e tij të ri, një befasi për lexuesin, por dhe për ne, miqtë e tij, që kujtonim se dinim shumë për të, në formën e një projekti kishte zgjedhur njerëzit me të cilët mendonte se mund të hynte në një shoqëri. Nëse ka pak prej nesh, të gjallëve të kësaj bote, kjo na bën të ditur se tashmë njeriun ai nuk e kërkonte në formën e një utopie, por në formën e nostalgjisë. Nuk ishte nostalgji ideali dhe aq më pak sistemi. Ishte një nostalgji në formën e protestës. Ky vend nuk më pëlqen më, këta njerëz nuk janë më heronjtë e mi: atëherë duhet të gjej bashkësinë time. Ne shohim autorin e këtij libri prapa Mitrush Kutelit, që përmendet në libër, duke i sjellë lexuesit në mendje çfarë ai në një rast, midis miqsh, u kishte thënë atyre në formën e protestës dhe zhgënjimit, duke iu përgjigjur se ç’do të bënte tani që i ishte hequr regjimi e drejta e botimit: Unë jam ish-shkrimtar. Në shqip, ndonëse jo dhe në gjuhë të tjera, thuhet ish jo vetëm për të dashurin a të dashurën, por edhe për çdo funksion shtetëror: ish-ministër, ish-president, thuhet  apo çdo lloj funksioni tjetër shtetëror apo partiak, pasi kanë lënë detyrat e funksionet. Ata, për shkak të shqipfolësve më shumë se të shqipes, humbasin edhe emrin. Por nuk mund të thuhet ish-shkrimtar. Ky është edhe fati i gazetarit: mund t’i mohohet e drejta e profesionit, mund të dëbohet nga puna, mund të ketë momente krizash, por, gjithsesi ai mbetet gazetar.

 

Arshin Xhezo e pa makinerinë e pushtetit nga brenda në kohën e betonit dhe të parafabrikateve, por nuk merret me thashethemet kundër tyre. Këtë shkallë ligjërimi e refuzon, ashtu si dhe krijuesit e tyre. Ai zbardh e analizon thelbin, mekanizmat e diktaturës mbi lirinë e shprehjes, mekanizma që janë pothuaj të njëjtë pavarësisht nga forma e diktaturës, të majta a të djathta qofshin. Si thotë vetë autori, karakteret e fortë janë nga ata gurë që thyejnë çekanë dhe fyerjen e provokimin e kthejnë në sfidë e privilegj. Falltari i famshëm i mitologjisë greke, Tirezeu, u ndëshkua me verbim të përjetshëm, por edhe me dhuntinë për të parashikuar të ardhmen, vetëm sepse e pa lakuriq hyjneshën Athinà.

 

Humbja e besimit te njeriu ka diçka sublime. Vetëm të lartëve u lejohet. Eshtë luks intelektual të mendosh për vlerën e jetës pas përhumbjes së idealit. Arshin Xhezo, me librin e vet, rigjen njeriun e humbur dhe vlerat e humbura. Pyetja se çfarë i panë sytë e çfarë i dëgjuan veshët Arshin Xhezos në aq e aq mbledhje të frikshme në udhëheqjen më të lartë shtetërore e partiake nuk na gjen përgjigje. Duket sikur autori qesëndis me ne, me të drejtë: Ju doni kurreshti, por unë nuk jam për këtë. Unë kërkoj njeriun, si Diogjeni. Së paku, gjeti njerëzit me të cilët mund të identifikohet. Dhe tani na thotë: Fati im është në fatin e karaktereve të mi. Do të dëshironim t’i mbyllnim këto dy fjalë, shkruar modestisht prej nesh në vend të parathënies për këtë libër, duke u rishprehur me fjalët e autorit: Jo, ne nuk shkruanim për të luftuar komunizmin në faqet e gazetës. Ne thjesht donim të bëheshim gazetarë të zotë dhe e kishim me shumë pasion profesionin tonë. Ndërkaq, mendonim, siç mendojmë edhe tani, pas njëzet vjetësh, tashmë akoma më qartë, se në këtë botë janë ca gjëra që duan kohën e tyre të piqen.

 

Parathënie e shkruar nga gazetari e botuesi Naim Zoto dhe Akademik Shaban Sinani

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *