Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka sulmuar sërish kryeministren italiane, Giorgia Meloni, pas komenteve të tij të djeshme, ku theksonte se ajo i ishte lutur për të bërë një foto me të në samitin e G7-ës në Francë.
Në një reagim në Truth Social, Trump këmbëngul se Meloni i ka kërkuar vazhdimisht për të bërë foton, ndonëse kryeministrja italiane e mohoi në një reagim publik të premten, me qëllimin për të rritur popullaritetin e saj.

“Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, më kërkoi vazhdimisht të bënim një foto së bashku gjatë takimit të Group of Seven në Francë. Ajo po kalon një periudhë të vështirë në Itali për sa i përket popullaritetit të saj, ndoshta sepse refuzoi të mbështeste SHBA, një vend që e do dhe e mbron vërtet Italinë, kur bëhej fjalë për të ndaluar Iranin të siguronte ose të zhvillonte armë bërthamore (edhe NATO bëri të njëjtën gjë, në fakt!).
Ajo nuk pranoi madje as të na lejonte përdorimin e pistave dhe bazave ajrore italiane, duke krijuar vështirësi të mëdha logjistike. Dhe kjo pavarësisht faktit se SHBA-ja shpenzon qindra miliarda dollarë çdo vit për të mbrojtur Italinë dhe aleatë të tjerë të ashtuquajtur të NATO-s.
Tani, pasi Shtetet e Bashkuara e mposhtën Iranin ushtarakisht, ajo dëshiron të rikthejë marrëdhëniet e mira dhe të shfaqet sërish si mike, për të rritur popullaritetin e saj. Jo, faleminderit!”, ka shkruar Trump.





