Partia Demokratike po zhvillon punimet e Kuvendit Kombëtar, ku kryetari Sali Berisha mbajti një fjalim para delegatëve, duke folur për rrugëtimin e opozitës dhe objektivat e saj politike.
Berisha tha se vendimi për të marrë drejtimin e partisë erdhi vetëm nga besimi i tij në fitoren e ardhshme dhe nga mbështetja e demokratëve.
“Unë u jap fjalën e nderit se kurrë nuk do merrja përsipër t’ju drejtoja ju po të mos besoja tek fitorja. Dhe besimi tek fitorja buronte nga guximi juaj, nga vendosmëria juaj, nga atdhetaria juaj”, u shpreh Berisha.
Ai vlerësoi mbështetësit e PD-së për përballjen me një periudhë të vështirë politike dhe sulme të shumta ndaj opozitës, sipas tij.
“Ndaj dhe për ta mbyllur këtë kapitull, unë dua të përulem me nderim para jush për veprën tuaj”, deklaroi kreu i PD-së.
Berisha tha se Partia Demokratike ka kaluar sfida të shumta por ka dalë më e fortë.
Duke folur për situatën aktuale të opozitës, Berisha tha se PD ndodhet në një fazë vendimtare.
“Sot nuk jemi më forcë politike që lufton në mbrojtje. Sot jemi në kilometrin e fundit, drejt fitores”, deklaroi ai.
Kreu i PD-së e vuri theksin te ripërtëritja e partisë, duke e cilësuar atë si detyrën kryesore të kësaj faze politike.
“Ripërtëritja e partisë është dhe duhet të jetë vepra jonë madhështore”, tha Berisha.
Ai shtoi se PD ka një program dhe vizion të qartë, duke kundërshtuar kritikat se opozita nuk ofron alternativa.
“Ka më program madhështor se programi ynë? Kush thotë se nuk kemi program, gabon. Ne qëndrojmë gardianë, ne qëndrojmë të pamposhtur në përpjepkejn tonë për integrimin e Shqipërisë në BE. Ylli polar është integrimi në BE. Por ky integrim në të cilin një peshë të veçantë, të madhe ka faktori gjeopolitke, ky integrim duhet të bazohet në meritë.
Në fund të fjalës së tij, Berisha u shpreh se synimi i PD-së është rikthimi i votës së lirë dhe ndryshimi politik në vend.





