Kryetari i PD, Sali Berisha, deklaroi se 350 kuti votimi janë nxjerrë në mënyrë të paligjshme nga magazinat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mesin e muajit prill, duke ngritur dyshime se ato janë përdorur për të deformuar rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit. Në një komunikim me gazetarët, Berisha sqaroi se opozita ka kërkuar pamjet filmike të magazinave për të verifikuar se çfarë ka ndodhur me këto kuti votimi.
“Sot unë kam këto pyetje për Ilirjan Celibashin. A janë marrë 350 kuti votimi më 12 apo më 13 prill të vitit 2025 nga magazinat e KQZ-së në Farkë? Së pari. A ka dijeni ai për marrjen e tyre pa asnjë dokument? Për marrjen e tyre pa asnjë dokument dhe dërgimin e tyre në një lokacion të administruar nga një ish-deputet socialist.”
Sipas Berishës, opozita ka arritur të tregojë se 11 maji ishte një farsë elektorale, ndaj nuk do të zbatohet neni i statutit që parashikon dorëheqjen e kryetarit.
“Besoj se kemi arritur të dokumentojmë dhe po dokumentojmë çdo ditë për shqiptarët dhe institucionet ndërkombëtare dhe partnerët tanë farsën e shëmtuar. Pastaj fjalën do e marrë populli opozitar dhe demokratët.”
Kryetari i Partisë Demokratike përsëriti se analiza brenda partisë do të bëhet pasi të përfundojë procesi për denoncimin e zgjedhjeve të 11 majit.
/vizionplus.tv





