Dhjetra banorë të fshatit Daullas në bashkinë Fier kanë protestuar për rrugët e amortizuara, të cilat nuk kanë njohur asnjë investim prej dekadash duke u kthyer në shqetësimin më madhor të përditshmërisë së tyre.
Në kulmin e indinjatës ata pohojnë njëzëri se familjet jetojnë mes baltës e gropave të mëdha ndonëse janë taksapagues të rregullt.
Ata thonë se shqetësimet i kanë adresuar disa herë, jo vetëm pranë bashkisë, por edhe tek ish-njësia administrative por deri më sot kanë marrë vetëm premtime boshe dhe asnjë zgjidhje konkrete në terren.
Përballë kësaj situate ata apelojnë për investime në zonën e tyre, teksa theksojnë se është e papranueshme që duke qenë vetëm një kilometër larg qytetit të jenë lënë tërësisht në harresën e investimeve.





