Subscribe

Nëse kryefjalë e dy viteve rresht është bërë situata e vështirë e sistemit bankar për shkak të nivelit të lartë të kredive me probleme, në fakt të gjithë jemi gabuar.
Viti që shkoi ka njohur fitimin më të lartë në histori për 16 bankat që operojnë në Shqipëri. Ato arritën të nxjerrin bilancin e tyre me 156.9 milion dollarë fitime.
Banka e Shqipërisë ka publikuar bilancin e 2015-ës dhe mënyrën se si këto banka kanë arritur të marrin këto përfitime gjigande. Të ardhurat më të mëdha, të cilat janë rritur çdo muaj janë fitimet nga interesat që vilen për kreditë. Qytetarët dhe bizneset që kanë një hua kanë paguar plot 634 milion dollarë për interesa në një vit, ndërsa vetë bankat kanë paguar për depozituesit 144.2 milion dollarë, një vlerë modeste kjo, pasi në fakt sasia e depozitave është më e lartë se ajo e kredisë në ekonomi.
Zëri i dytë i cili ka sjellë lulëzimin e këtij sektori është ai i të ardhurave nga veprimtari të tjera. Investimi në bono thesari e obligacione, të cilat janë borxh i qeverisë, ka sjellë miliona dollarë të ardhura shtesë. Në fakt situata duket disi absurde pasi me paratë e qytetarëve, (depozitat) bankat blejnë borxhin e qeverisë dhe realizojnë fitim, kur në fakt borxhi sërish do të paguhet në vite nga qytetarët. Nëse të gjithë bizneset në kohën e krizës kanë ulur aktivitetin e tyre ekonomik, bankat përkundrazi e kanë rritur atë. Në vlerë monetare, fitimi është rritur me 36 milion dollarë krahasuar me 2014-ën. Lajmi se kemi një sistem bankar të shëndetshëm është një lajm pozitiv. Por përballë kësaj situate vihet në pikëpyetje fakti se përse kostot e krizës që kalon ekonomia duhet t’i paguajnë qytetarët? interesi për depozitat po shkon në vlera negative, e ndërsa kreditë janë më të lartat në rajon e Europë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *