Subscribe

Zgjedhja e Avokatit të Ri të Popullit mbetet peng i mosujdisë mes mazhorancës dhe opozitës. Thuajse një vit nga zyrtarizimi i kandidaturave politika nuk ka hedhur asnjë hap për zëvendësimin e Erinda Ballancës që prej dy vitesh i ka përfunduar mandati si Avokate e Popullit.

Në përgjigje të Vizion, Bledi Çuçi dhe Gazmend Bardhi thanë se Avokati i Popullit mbetet një çështje ende e padiskutuar.

Tre muaj nga mbyllja e sesionit parlamentar për kryetarët e dy grupeve parlamentare, Partisë Socialiste dhe Demokratike çështja e zgjedhjes së avokatit të popullit që ka shkelur çdo afat kushtetues deri më tani rezulton të mos jetë një përparësi.

Prej pranverës së një viti më parë shtatë kandidatë nga 15 që kanë siguruar firmat e nevojshme të deputetëve presin të shkojnë për votim në parlament.

Mes kandidatëve në garë janë emra që vijnë nga sistemi i drejtësisë si Vitore Tusha, ish-kryetare e Gjykatës Kushtetuese  apo Tartar Bazaj, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Avokatia përfaqësohet me Bledar Dervishaj, ish-këshilltar ligjor i Ilir Metës president, Besim Ndregjoni përfaqësues i ish të burgosurve politik apo Dardan Mustafaj, djali i ish-Ministrit të Jashtëm, Besnik Mustafaj.

Prej majit të 2022-it Erinda Ballancës i ka përfunduar mandati. Në dhjetorin e të njëjtit vit politika dështoi në zgjedhjen e pasuesit të saj. Ledio Braho kandidati i propozuar nga opozita u rrëzua pasi Partia Socialiste e quajti zgjatim të strukturave të PD-së.

Në atë kohë shumica socialiste kërcënoi se avokati i popullit jo domosdoshmërisht duhet të vijë si propozim i opozitës. Kur kanë kaluar dy vite dhe shumica e deputetëve demokratëve njohin për kryetar të grupit të tyre Gazmend Bardhin mbetet për tu parë nëse PS do t’i qëndrojë marrëveshjes së 17 majit mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, që Avokati i Populli si zgjedhje i takon opozitës.

Deri më tani PD nuk ka identifikuar një emër të preferuar mes shtatë kandidatëve, për të cilin do të kërkojë edhe miratimin e PS për të bërë 84 votat  e kërkuara për zgjedhjen e avokatit të popullit. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *