Samiti i 6 tetorit BE plus vendet e Ballkanit Perëndimor nuk pritet të sjellë asgjë të re në rrugën e integrimit për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit. Propozimi i Sllovenisë që mban Presidencën e radhës së Bashkimit Europian për të vendosur në deklaratën finale vitin 2030 si momentin për anëtarësimin e Ballkanit perëndimor në BE, është rrëzuar. “Vizion Plus” ka siguruar draft deklaratën që mban datën 30 shtator, por në të shprehet vetëm mbështetja me fjalë të përgjithshme për integrimin e rajonit, pa asnjë datë apo hap konkret.

 

“BE rikonfirmon mbështetjen pa asnjë ekuivok për perspektiven europiane të Ballkanit perëndimor dhe mirëpret angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për perspektivën europiane, që është interesi ynë strategjik i përbashkët dhe zgjedhja jonë strategjike. BE rikonfirmon angazhimin e saj në procesin e zgjerimit dhe marrjen e vendimeve bazuar mbi reformat të besueshme nga partnerët.”

 

Deklarata përmban 28 pika, por shumica prej tyre adreson bashkëpunimin rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe flet pak ose aspak për agjendën e zgjerimit.

 

Presidenca sllovene nisi në 1 korrik me premtime të mëdha për procesin e zgjerimit dhe samitin e 6 tetorit, por duket se ky samit nuk do të sjellë asnjë të re.

 

Edhe pse Shqipëria e Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar kushtet për hapjen e negociatave; vetoja bullgare do të vazhdojë të bllokojë procesin e integrimit për të dy vendet tona.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *