Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka folur në një intervistë për mediat greke lidhur me vizitën që kryeministri Edi Rama zhvilloi një javë më parë në Athinë, ku u takua me emigrantëtë shqiptarë të Greqisë në pallatin e sporteve “Galatsi”.
Në një intervistë për gazetën “Maqedonia” Mitsotakis tha se vizita e kryeministrit Rama në Greqi ishte private në funksion të fjalimeve parazgjedhore që ai ka planifikuar të bëjë me diasporën shqiptare.
Ai theksoi se qeveria e tij nuk kishte përse ta ndalonte këtë, pasi nuk i frikësohej një ngjarjeje për shkak të recesionit të krijuar më parë në marrëdhëniet greko- shqiptare.
Sigurisht kryeministri grek foli edhe për çështjet e pazgjedhura mes dy vendve, siç është “burgimi i padrejtë i Belerit”, sipas tij. Ai tha se Rama nuk mund të anashkalojë kushtet që duhet t’u përmbahet për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Ai tha gjithashtu se rruga e anëtarësimit të Shqipërisë varet nga respektimi i të drejtave themelore të minoritetit grek, duke treguar se gjithçka mbetet në dorën e Greqisë për integrimin në BE, nëse nuk pranon që të lirojë nga burgu Fredi Belerin.
“Çështjet në marrëdhëniet greko-shqiptare sigurisht që mbeten. Dhe kryeministri i Shqipërisë nuk mund të anashkalojë kushtet për anëtarësimin e vendit të tij në BE. Së pari, respektimi i shtetit ligjor, i cili është i parashikuar në nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Evropian….Do të jem i qartë: me paraburgimin e paligjshëm të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, tashmë kandidat i ND-së për Parlamentin Europian, Fredi Beleri, Shqipëria shkel vlerën e shtetit ligjor, duke shfuqizuar të drejtën e tij të vetëkuptueshme për t’u gjykuar, prezumimi i pafajësisë….Dhe duke qenë se rruga e anëtarësimit të Shqipërisë varet nga respektimi i të drejtave themelore të minoritetit grek, ajo kalon në mënyrë të pashmangshme nga vendi ynë. Jo për të “pajtuar” apo “ndëshkuar”. Por për të parë Shqipërinë duke u bashkuar pa probleme në rrugën e vlerave europiane”, tha Mitsotakis./vizionplus.tv/





