Aplikimi teknologjisë në zgjedhjet politike të vitit 2021 është i mundshëm.

 

Në një intervistë për Vizion Plus, kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë Bernd Borchardt rekomandon se më parë duhet testuar në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm. Po, ambasadori thotë se duhet bere kujdes, pasi siç tregon eksperienca, teknologjia mund të bjere preh e hakerave.

 

“Aspekte të tjera, si teknologjitë e reja të votimit për identifikimin e zgjedhësve, mbartin disa rreziqe. A do të funksiononte? Kjo duhet testuar me hollësi. Si t’i kemi të dhënat që na duhen në qendrat e votimit? A do të funksiononte gjithmonë lidhja me internetin? A ekziston rreziku i ndërhyrjeve nga hakerat? Ajo që dua të them është se teknologjitë e reja të votimit duhet ta rrisin besimin te zgjedhjet dhe nuk duhet që, në kohën e hakerave dhe sulmeve kibernetike, ato ta ulin këtë besim te zgjedhjet.”

 

E ndërsa për votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, ambasadori Borchardt shprehet se përballet me dy çështje madhore, sistemi zgjedhor dhe metodologjia.

 

 “Nuk ka rekomandime të OSBE-së apo ODIHR-it se si duhet të bëhet votimi për shtetasit që jetojnë jashtë vendit. Për këtë nuk ka as standarde ndërkombëtare, por ka përvoja që tregojnë se çfarë ka funksionuar, çfarë ka rezultuar shumë e komplikuar, çfarë mund të bëhet më lehtë dhe votimi me postë është sigurisht diçka që mund të bëhet më lehtë. Një nga çështjet është se si mund të bëhet regjistrimi i zgjedhësve. Ne rekomandojmë që kjo të bëhet në një mënyrë të thjeshtë, në një mënyrë që kushdo ta kuptojë lehtë, përndryshe zgjedhësit që nuk janë të sofistikuar mund të frenohen e të mos votojnë”

 

Në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit politike, pati raportime për shitblerje të votës. Ambasadori rekomandon ashpërsim të dënimeve penale, dhe qasje më aktive e Prokurorisë.

 

 “Problemi ekziston. Se sa i madh është ky problem, askush nuk e di me të vërtetë. Megjithatë, problemi ekziston dhe ai mund të luftohet duke e frenuar përmes dënimesh më të ashpra dhe përmes shembujve të një ndjekjeje penale efikase dhe trajtimit të tij me seriozitet. Bëhet fjalë për një krim. Ne e kemi mirëpritur hapjen e çështjeve nga prokuroria në lidhje me shpërdorimin e burimeve shtetërore dhe unë kam theksuar disa herë publikisht se do ta donim shumë të shihnim edhe hapjen e çështjeve për shitblerjen e votës.”

 

I pyetur mbi mundësinë e ndryshimit të sistemit zgjedhor në Shqipëri, Ambasadori Borchardt shprehet se është një çështje për të cilën duhet të vendosin aktorët vendas. Ndërkohë që ripërsërit rekomandimin për depolitizimin e administratës të proceseve zgjedhore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *