Me shtim të efektivëve në terren, kontrolle të përforcuara në kufi dhe monitorim të rreptë të vijës bregdetare, Policia Kufitare e Vlorës ka nisur zbatimin e planit të masave për garantimin e sigurisë gjatë sezonit veror. Fluksi i lartë i turistëve, ka sjellë rritje të masave në pikat kufitare dhe në hapësirat detare. Drejtori i Policisë Kufitare në Vlorë, Arbër Zemani tregon se është punuar për rritjen e kapaciteteve në sportele për të evituar rradhët e gjata në pikat kufitare si tokësore dhe ato detare.
“Drejtoria Vendore dhe Migracionit në Vlorë i ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të parur një sezon turistik sa më të sigurt dhe të qetë për të gjithë pushuesit. Këto masa janë marrë duke filluar në pikat e kalimit kufitar, siç është porti i Vlorës, porti i Sarandës, pika e kalimit kufitar Qafë Botë, duke shtuar numrin e efektivëve në shërbim, duke shtuar numrin e kabinave për kontrollin e dokumentacionit për të shmangur pritjet e gjata dhe të panevojshme”, tha Arbër Zemani, drejtor i Policisë Kufitare në Vlorë
Zemani paralajmeron se do ketë tolerancë zero ndaj shkeljeve që cenojnë sigurinë e pushuesve, ku do të kryhet një monitorim nga njësia policore detare, sidomos për jet ski. Nga janari deri tani janë vendosur 50 gjoba për këto mjete, gjoba të majme deri në 5 milionë lekë të vjetra.
“Një element tjetër mjaft i rëndësishëm është monitorimi dhe kontrolli i vijës bregdetare për të patur një sezon pa incidente të ndodhura në det. Tolerancë zero dhe një vëmëndje mjaft e shtuar do të jetë përsa i përket perimetrit të sigurisë të plazhistëve”, shtoi Zemani.
Policia Kufitare në fokus të saj, përveç vijës bregdetare ka dhe atraksionet turistike të jugut, siç është shpella e Haxhi Aliut. Këto vende për shkak të numrit të lartë të vizitorëve, monitorohen gjithasht nga policia kufitare.
Surprizë për këtë vit ka qënë porti i Sarandës, i cili pa nisur mirë sezoni është përballur me dyfishimin e turisteve krahasur me vitin e kaluar. Në këtë port, për shkak të fluksit, do të instalohen e-gate, sisteme tekonologjike si ato të Rinasit.
“Të paktën për portin e Sarandës është dyfish numri i vizitorëve të ardhur gjatë këtij 5-mujori në krahasim me vitin e kaluar. Në portin e Sarandës deri më tani kanë bërë programim 30 kroçiera për të ardhur, të cilët mbajnë numër mjaft të lartë turistësh, nga 1500 deri në 4500 dhe padiskutim që kjo është një shtysë akoma më e madhe për të sthuar masat. Në portin e Sarandës do te kemi dhe një risi këtë vit ku do të shtohen kontrollet digjitale të pasaportave, e-gate, të cilat do të jenë një ndihmë shtesë përsa i përket mospasjes të rradhëve të gjata në këtë pikë të kalimit kufitar”, shtoi Zemani.
Statistikat tregojnë se Shqipëria do të ketë një sezon më të mbarë turistik se ai i vitit të kaluar, kjo bazuar në rritjen e turistëve nga janari deri më tani në të gjitha pikat e kalimit kufitar, si në Rinas, në portet Vlorë, Durrës, por dhe pikat e tjera të kalimit kufitar tokësor.





