Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Victim”, duke goditur një rast të trafikimit dhe shfrytëzimit të femrave për prostitucion.
Gjatë operacionit, në lagjen “Pavarësia” u zbulua një apartament i marrë me qira, ku shfrytëzohej për prostitucion një shtetase kineze. Nga hetimet u identifikuan tre shtetas kinezë të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.
Si rezultat, u arrestuan shtetasja X. L., 40 vjeçe, dhe shtetasi B. W., 31 vjeç, të dy banues në Kinë, ndërsa shtetasja K. X., 50 vjeçe, u shpall në kërkim. Ata dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shfrytëzonin për prostitucion shtetasen kineze J. G., 52 vjeçe, në apartamentin e marrë me qira për këtë qëllim.
Shtetasja J. G., si dhe shtetasi E. B., i cili u gjet në ambientet e apartamentit, u proceduan penalisht për veprën penale “Prostitucioni”. Policia po vijon punën për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme.
/vizionplus.tv





