Viti 2024 ka të ngjarë të jetë një vit zgjedhor në Mbretërinë e Bashkuar. Sondazhet tregojnë një ulje të mbështetjes ndaj konservatorëve dhe kryeministrit, Rishi Sunak.

 

Ky i fundit konsiderohet si një ndër udhëheqësit me ligjet më të ashpra për emigrantët, ndonëse është djali i dy prindërve të tillë.

 

Ligjet për emigracionin kanë marrë shpesh herë vëmendjen e mediave vendase dhe jo vetëm, ku nuk janë të pakta rastet që qeveria akuzohet për racizëm.

 

Nga ana tjetër, qeveria e ka përdorur emigracionin si “as nën mëngë” për të rritur pëlqyeshmërinë tek vendasit, të cilët e konsideroj shqetësues për sigurinë e tyre këtë fenomen.

 

Konservatorët kanë qenë në pushtet që nga viti 2010, kohë gjatë së cilës ata kanë kaluar nëpër pesë kryeministra dhe pas 13 vitesh në pushtet analistët mendojnë se partia nuk ka më ide.

 

Numri neto i emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar arriti një rekord prej 745 mijë personash në vitin 2022, duke u kthyer kështu në temat kryesore të diskutimeve.

 

Një pjesë e mirë e emigrantëve, përfshirë edhe nga Shqipëria, mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht. Gomonet, të drejtuara nga grupe kriminale, në të shumtën e rasteve të tejmbushura transportojnë klandestinë në Mbretërinë e Bashkuar.

 

Tragjeditë e shumta ngritën edhe “alarmin” mbi gomonet e fundosura në kanalin e la Manshit.

 

Sipas Observatorit të Migracionit në Universitetin e Oksfordit, në vitin 2018, numri i njerëzve të zbuluar duke kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla ishte 299. Në vitin 2022, ky numër ishte 45,755.

 

Rritja e dukshme e numrit të klandestinëve, sipas mediave vendase prekën shumë zona. Një pjesë e tyre kanë aplikuar për azil, duke u kthyer në një “barrë” për qeverinë.

 

Rritja e fluksit të emigrantëve është kthyer edhe në një “provë parazgjedhore” për Rishi Sunak, i cili nuk ka kursyer as deklaratat e tij të forta ndaj tyre. Retorika e përdorur nga ai është kritikuar jo pak herë, për shkak të etiketimeve të emigrantëve si kriminelë që po shkatërrojnë rendin e sigurinë. Ai është zotuar për të kthyer në shtëpi ata që gjerësisht iu është referuar si kriminelë.

 

Sunak ka trashëguar një plan të diskutueshëm nga paraardhësit e tij, sipas të cilit Mbretëria e Bashkuar arriti një marrëveshje me Ruandën që refugjatët të mund të dërgoheshin atje. Marrëveshja e bujshme nuk gjeti kurrë zbatim, për shkak të kritikave të shumta, ku qeveria akuzohej se po shkelte të drejtat dhe ligjet ndërkombëtare të emigracionit. Më e rëndësishmja, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut bllokoi fluturimet për në Ruandë.

 

Sunak zbuloi këtë javë një projekt-ligj që ishte krijuar për të bllokuar çdo arsye ligjore që avionëve poi u ndalohej fluturimi në Ruanda.

Ndërkohë u zbulua se qeveria britanike i kishte paguar qeverisë së Ruandës 100 milionë paund shtesë këtë vit si pjesë e marrëveshjes, duke e çuar shifrën në total 140 milion paund.

 

Për një vend që në vitin 2016 votoi për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, një gjykatë e huaj që ndërhyn në ligjin e brendshëm është diçka që krijon mundësi politike, shprehen analistët.

Raportimet e shumta në mediat të emigrantëve të mbytur në kanalin e la Manshit detyruan qeverinë që të ashpërsojë retorikën e njëkohësisht edhe ligjet mbi emigrantët. Gjendur përballë trafikimeve të shumta njerëzore, që shpesh herë ktheheshin në tragjedi, Sunak zgjodhi një ‘betejë’ që duket se po e humbet.

 

Të majtë dhe të djathtë, përmes kritikave të vazhdueshme, duket se e kanë vënë atë përpara ‘presionit’ të mbajtjes së zotimit të tij mbi emigracionin, në një kohë ku vendi është në prag zgjedhjesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *