Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim u takua këtë të enjte me prokurorët e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.
Temat e diskutuara në takim u zbardhën nga vetë ambasada në “Facebook”. Gjatë takimit, Yuri Kim i siguroi prokurorët e SPAK se SHBA do të vijojnë të ofrojnë ndihmë teknike, teksa ata luftojnë krimin e organizuar dhe ngrenë Byronë Kombëtare të Hetimit.
Reforma në drejtësi ka qenë kryefjalë e çdo takimi që diplomatja amerikane ka zhvilluar me zyrtarët e lartë shqiptarë. Ajo ka theksuar se mbështetje amerikane për zbatimin e reformës do të vijojë, ndërsa ka bërë thirrje për një gjyqësor të pavarur dhe të drejtë.