Policia e Kosovës përmes një komunikate për medie bëri të ditur se gjatë zbatimit të një plani operativ tremujor kontrolloi 71 lokale nate, ndaloi 389 femra, punonjëse në ato lokale, me prejardhje nga vende të ndryshme, dhe mbyllen 34 lokale të tilla.

 

Në komunikatë theksohet se Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, ka hartuar dhe zbatuar me sukses në nivel vendi, Planin operativ “Mars-Prill-Maj 2017” që ka të bëjë me trafikimin e qenieve njerëzore.

 

Gjatë zbatimit të planit, përveç njësive të ndryshme policore, kanë marrë pjesë edhe inspektorë komunalë të komunave përkatëse dhe zyrtarë nga Administrata Tatimore e Kosovës.

 

Gjatë kësaj periudhe me qëllim parandalimin dhe hetimin e kësaj dukurie, janë kontrolluar shtatëdhjetë e një (71) lokale që dyshohej se kryenin aktivitete të kësaj natyre në tërë vendin. Prej tyre, janë mbyllur tridhjetë e katër (34) lokale nga inspektorët komunalë të komunave përkatëse.

 

Në këto lokale, policia ka legjitimuar 389 femra (238 shtetase të Shqipërisë, 137 shtetase të Kosovës, 7 shtetase të Serbisë, 5 shtetase të Maqedonisë, 1 shtetase e Bullgarisë dhe 1 shtetase e Moldavisë).

 

Shtetaseve të huaja, të cilat nuk kanë prezantuar leje pune dhe qëndrimi në vend, u janë konfiskuar dokumentet dhe janë adresuar në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj.

 

Policia gjatë kontrolleve të këtyre lokaleve ka konfiskuar prova relevante që lidhen me mundësinë e trafikimit me qenie njerëzore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *