24 orë para se KQZ të shpërndajë mandatet për Tiranën, Adriatik Lapaj ka tentuar për herë të fundit të arrijë një marrëveshje me aleatin e tij Endri Shabani për fatin e mandatit të vetëm të deputetit që koalicioni “Nisma Shqipëria bëhet” fitoi në 11 maj. Në një konferencë me gazetarët Lapaj deklaroi që ai vetë nuk do ta marrë mandatin e deputetit, duke ftuar Endri Shabanin të bëjë të njëjtin veprim.
“Z. Shabani, ju pres! Ejani të respektojmë marrëveshjen, të japim dorëheqjen dhe mandatin ta marrë ajo që qytetarët e zgjodhën me votë të lire, znj. Greta Ambeli, kandidatja më e votuar e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet””, tha Lapaj.
Lexo edhe :
Related Posts
Nëse nuk do të arrihet një marrëveshje, atëherë nesër në KQZ, Lapaj do të tentojë që të pranohen dorëheqjet e dhëna nga kandidatët e listës së mbyllur në 11 maj.
Por meqenëse Kodi nuk i njeh dorëheqjet paraprake, atëherë 64 mijë qytetarët që votuan koalicionin “Nisma Shqipëria bëhet” do t’i përfaqësojë në parlament kushërira e parë e Adriatik Lapaj, Kleana Xhuveli në mënyrë që deputet të mos bëhet daja i Endrit Shabanit, Zeqir Kordhoni.
“Kleana Xhuveli e renditur e 4 do të marrë mandatin”, tha Lapaj.
Ndërkohë Endri Shabani në një postim në rrjetet sociale akuzoi Lapajn se nuk mbajti premtimin për të dhënë dorëheqjen nëse koalicioni merrte vetëm një mandat, duke justifikuar vendimin e dajës se tij për të marrë mandatin e deputetit.
Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani garuan në një koalicion në zgjedhjet e 11 majit. Ata vendosen në listën e mbyllur të deputetëve familjarët e tyre, ndërsa vetë garuan në listën e hapur për të treguar se besojnë tek vota e qytetarëve. Kandidati më i votuar në Tiranë doli Adriatik Lapaj por që ai të marrë mandatin duhet që 12 kandidatet e listës së mbyllur të japin dorëheqjen.
Daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni i renditur i 9 në listën e mbyllur ndërroi mendje dhe kërkoi në KQZ mandatin e deputetit. Si kundërpërgjigje mandatin e kërkoi edhe Kleana Xhuveli, kushërira e Adriatik Lapajt e renditur e 4. Nëse situata nuk ndryshon, deputete nesër do të bëhet kushërira e Adriatik Lapajt e cila do përfaqësojë qytetarët që vendosën në 11 maj të votonin për një alternativë të re politike.






