Bizneset në kryeqytet i janë përgjigjur thirrjes për lirimin e hapësirave publike pas aksionit të ndërmarrë në të gjitha bashkitë e vendit.
Një pjesë e madhe e tyre kanë bërë çmontimin e strukturave, heqjen e tendave, karrigeve dhe tavolinave nga trotuaret.
Të parat që i janë bindur urdhrit kanë qenë subjektet në zonat kyçe dhe më të populluara të Tiranës si bulevardi “Zogu i Parë”, Pazari i Ri, zona pas Muzeut Kombëtar apo “21 Dhjetori”.
Ndërkohë në Durrës gjatë kontrolleve në terren, efektivët kanë konstatuar në lagjen nr. 4, një objekt prej druri që po ndërtohej pa leje.
Si pasojë u arrestua 42-vjeçari që po e ndërtonte, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Edhe në Lezhë nisi evidentimi i rasteve të zaptimit të hapësirave publike dhe ndërtimet pa leje.
Nga kontrollet e deritanishme rezulton se pjesa më e madhe e ndërtimeve janë kryer në vitet e shkuara dhe disa kanë dokumentacion të rregullt, por janë konstatuar edhe ndërhyrje pa leje.
Për këto raste, është vendosur një afat 5-ditor për prishje vullnetare.
“Gjatë kësaj jave do të bëhet evidentimi i të gjitha rasteve dhe ndërhyrjet do të nisin javën e ardhshme për subjektet që nuk veprojnë vetë”, tha nënkryetari i bashkisë së Lezhës, Fatjon Zefi.
Aktualisht, bashkia e Lezhës po vijon me procesin e njoftimeve dhe deri në fundjavë pritet të përfundojë evidentimi i plotë i ndërtimeve pa leje dhe hapësirave të zaptuara./vizionplus.tv





