Rrëshqitjet e vazhdueshme të kodrës në zonën e Currilave, ku pak ditë më parë banorët e një pallati u detyruan të largoheshin nga banesat e tyre, kanë rikthyer shqetësimin për sigurinë e zonës dhe nevojën për një zgjidhje afatgjatë.
Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, deklaroi se stabilizimi i kodrës kërkon një projekt të detajuar teknik dhe një investim të konsiderueshëm financiar, i cili tejkalon mundësitë e buxhetit të Bashkisë.
Sako bëri të ditur se Bashkia ka kërkuar mbështetjen e institucioneve përgjegjëse për kryerjen e studimeve gjeologjike dhe hartimin e një projekti të plotë.
Sipas autoriteteve vendore, pas përfundimit të studimeve do të synohet sigurimi i fondeve për zbatimin e projektit, përmes qeverisë shqiptare, por edhe programeve dhe fondeve ndërkombëtare, përfshirë ato të Bashkimit Europian që mbështesin projektet për mbrojtjen e territorit dhe menaxhimin e rreziqeve natyrore.
Ndërkohë, zona vijon të monitorohet nga strukturat përgjegjëse, ndërsa ekspertët pritet të përcaktojnë masat konkrete për të shmangur rrëshqitje të tjera dhe për të garantuar sigurinë e banorëve.





