Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq Darment Kelin, i cili në gush të vitit të kaluar, vrau me thikë 34-vjeçarin Amarildo Hoxhallari.
Ngjarja ndodhi në Astir dhe Keli deklaroi para hetuesve se viktima i kishte ngacmuar të fejuarën.
Lexo edhe :
Related Posts
Ndaj Darment Kelit rëndon vepra penale ‘Vrasja me dashje’ parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.
“Nga hetimet e procedimit penal nr. 5141, të vitit 2024, rezultoi se më datë 24.08.2024 ndërroi jetë nga plagosja me thikë shtetasi A.H., ndërsa u arrestuan në flagrancë shtetasit D.K. dhe A.M. E gjithë ngjarja nisi kur viktima A.H. dhe miku i tij, A.M dyshohet se ngacmuan me fjalë një vajzë, veprim ky që u pa nga ballkoni nga shtetasi D.K. i cili më pas u konfliktua me dy personat. Në konflikt e sipër, ky shtetas qëlloi disa herë me mjet prerës thikë, në pjesë të ndryshme të trupit, shtetasin A.H., duke i shkaktuar më pas atij vdekjen. Ky shtetas deklaroi se personat në fjalë ngacmuan të fejuarën e tij e cila ishte nisur të takonte një të afërmen e saj dhe pasi e pa tërë skenën nga ballkoni, ai zbriti duke marrë me vete edhe një thikë, teksa pranoi se në konflikt e sipër e goditi disa herë në krah dhe në pjesën e barkut”, njofton prokuroria.
Bazuar sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkoi dërgimin në gjyq të shtetasit D.K. për veprën penale ‘Vrasje me dashje’.
Darment Keli, 25 vjeç u arrestua menjëherë pas ngjarjes së ndodhur vitin e kaluar. Ai deklaroi para hetuesve se viktima, Amarildo Hoxhallari i ngacmoi të fejuarën dhe e goditi, por nuk kishte qëllim ta vriste.
“Sapo kisha arritur afër shtëpisë bashkë me të fejuarën. Ajo shkoi tek parkimi dhe unë u ngjita lart kur pashë një motor që po e ndiqte dhe po e ngacmonin. Nga ballkoni u fola por me ofenduan. Mora thikën dhe zbrita poshtë. Ata ishin dy veta. Amarildo Hoxhallari me ofendoi sërish dhe më goditi. Në sherr e sipër e godita me thikë që kisha marrë në shtëpi. Nuk kisha qëllim ta vrisja por me ofendoi dhe më goditi përpara”, tha Darmend Keli në dëshminë e tij.
Policia arrestoi edhe shoferin e makinës ku ndodhej viktima, pasi u provua se po e drejtonte mjetin në gjendje të dehur./vizionplus.tv







