Kryeministri Edi Rama bashkëbisedoi pasditen e kësaj të shtune me shqiptarët në Kretë të Greqisë.
Gjatë fjalës së tij, Rama e vuri theksin tek rëndësia e votës së diasporës në zgjedhjet e 11 majit.
“Jam shumë i kënaqur që sot jam këtu për të shkruar një copëz historie, një copëz historie që fati ka dashur t’na jepet ne si mundësi. Shumë të tjerë para nesh, shumë para nesh, e kanë ndërruar dhe kanë luftuar për këtë, historinë e pandashme dhe të pandarë nga Evropa. Kur Skëndërbeu u bë hero për Evropën, nuk kishte BE, por kishte Evropë. Dhe kështu, dekadë pas dekadës, shekull pas shekulli, ëndrra e shqiptarëve mori një hov tjetër”, tha Rama.
Kreu i qeverisë gjithashtu iu drejtua emigrantëve me thirrjen për t’u kthyer dhe për të investuar në vendin e tyre.
“Për të gjithë ata që kanë një tokë në fshat apo një shtëpi të rrënuar të gjyshit në fshat, apo kanë të afërm në fshat ku mund të bëhet një investim, kemi kaluar në parlament ekzaktësisht për emigrantët një ligj që thotë se çdokush që zotëron një tokë për të cilën mund të mos e ketë akoma dokumentin e pronësisë, ama ka dëshmitarët e mjaftueshëm në fshat atje që është toka e të parëve, mund të marrë një vërtetim dhe mund të marrë leje për të rindezur oxhakun në shtëpinë e gjyshit dhe për ta kthyer shtëpinë e gjyshit në një agroturizëm, apo për të investuar atje në çfarëdo rruge”, u shpreh kryeministri.
Edhe gjatë takimit me emigrantët në Greqi, kryeministri Edi Rama nuk i kurseu ironitë për kundërshtarët politikë.
“Bufi ynë atje në Tiranë është bufi i dalë nga shprehja e popullit ‘ç’do atje o bufi kënetës’. Besoj se i keni parë që dalin nga diaspora dhe thonë ‘na jepni ne rinisë votën’ dhe në listat e kandidatëve kanë babanë, mamanë, xhaxhanë, sepse nuk i kanë aq njerëz sa t’i fusin në lista. Ndërkohë, ne ju kemi dhënë një skuadër që ka më shumë vajza dhe janë të reja dhe të rinj, sa kanë të gjitha partitë e tjera së bashku. Është partia që ka më shumë eksperiencë në qeverisje, sesa kanë të gjitha partitë e tjera së bashku. Me këta fitojmë edhe pa bërë fushatë fare”, deklaroi ai.
Kryeministri u tha emigrantëve shqiptarë se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian sot është më afër se kurrë. /vizionplus.tv





