Michael Lohan, babai i aktores Lindsay Lohan, u arrestua sërish në Palm Beach, Florida, për shkelje të kushteve të dënimit me kusht, vetëm disa javë pasi një urdhër arresti u lëshua ndaj tij për një sulm të dyshuar ndaj ish-bashkëshortes së tij, Kate Major.
64-vjeçari u arrestua më 21 shkurt në Spring, Teksas, pas një incidenti me Major, e cila raportoi në polici se Lohan e kishte rrëzuar nga karrigia disa ditë më parë. Sipas autoriteteve, ajo kishte mavijosje dhe ndiente dhimbje pas sulmit.
Lohan u ndalua pa bërë rezistencë dhe u mbajt në burg me akuzën për dhunë të vazhdueshme në familje, me një garanci prej 30,000 dollarësh (rreth 27,500 euro). Ky nuk është rasti i parë i tij me ligjin. Në vitin 2022, ai u dënua në Florida për një skemë mashtrimi që përfshinte ndërmjetësimin e pacientëve në qendra rehabilitimi, për të cilën ishte në periudhë prove.

Shkelja e kushteve të provës me arrestimin e tij të fundit çoi në lëshimin e një urdhri ekstradimi nga Teksasi në Florida.
Lohan dhe Kate Major, të cilët u martuan në 2014 dhe u ndanë në 2018, kanë dy djem së bashku, ndërsa ai ka katër fëmijë nga martesa e tij e parë me Dina Lohan, përfshirë Lindsay. Ky incident vjen pas një historie të gjatë të përplasjeve mes Lohan dhe Major, të cilët kanë pasur akuza të ndërsjella dhe përleshje publike, disa prej të cilave janë pasqyruar në media.
/vizionplus.tv





