Një ditë pasi u paraqit në SPAK, kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka mungoi në mbledhjen e Komisionit por përfshirja e saj në dosjen për Erion Veliaj u bë pjesë e debatit mes opozitës dhe mazhorancës.
Deputeti i PD Dashnor Sula kërkoi që Komisioni të dalë me një deklaratë e të distancohet nga deputetja socialiste Bushka. Por kundërshtari më i ashpër i Sulës ishte kryerepublikani Fatmir Mediu i cili po përballet dhe vetë me SPAK-un dhe solli në vëmendje prezumimin e pafajësisë.
“Ka bërë veprime të pafalshme, duhet të mbajmë qëndrim. Ka kryer veprime në kundërshti me ligjin me vetëdije dhe ka penguar hetimin për Erion Veliajn”, tha deputeti demokrat Dashnor Sula.
“Aq sa e kam jetuar atë sistem por dhe aq sa kam dëgjuar apo parë nga ai sistem, ajo që do të urreja është që ky komision të kthehet në një byro politike. Kush do të bëjë qëndrim politik e ka të drejtën ta mbajë këtë qëndrimin politik, po kush do të lexojë Kushtetutën di dhe rregullat se çfarë thotë Kushtetuta për cdo gjë që ka të bëjë me sistemin e drejtësisë dhe të drejtat e njerirut.
Kjo hedhja baltë pa fund dhe ky diskutim pa sens jo vetëm ka filluar të degjenerojë sistemin politik në Shqipëri, por ka bërë që njerëzit të fillojnë e të largohen nga qasja që duhet të kenë ndaj procesve demokratike. Do urreja të bëja qoftë prokurorin, qoftë gjyqtarin apo qoftë anëtarin e byrosë politike. Nuk ka për ta pranuar nddonjëherë”, tha Mediu,
Mazhoranca dhe opozita shkëmbeu replika edhe per SPAK-un dhe sulmet politike ndaj tij
“Ikën Amerikanët nga SPAK? Po janë shqiptarët këtu të cilët e mbështesin SPAK-un në masën 70%!”, tha deputeti Enkelejd Alibeaj.
“Flisni ju që keni në program elektoral shkrirjen e SPAK. Socialistët po përballen me ligjin pa u fshehur e me dinjitet”, tha deputeti socialist Toni Gogu.
Kryetarja e Komisionit te Ligjeve Klotilda Bushka u paraqit në SPAK pasi po hetohet për pengim të drejtësisë.





