Orientimi i maturantëve drejt studimeve të larta dhe tregut të punës është një proces kyç, i cili edhe këtë vit ka nisur të zbatohet në shkolla, paralelisht me përgatitjet për provimet. Mësuesit e këshillimit të karrierës kanë zhvilluar aktivitete për t’i ndihmuar nxënësit në zgjedhjen e degës së duhur për të ardhmen e tyre.
“Mësuesja e këshillimit të karrierës na ka bërë aktivitete që na kanë ndihmuar në përzgjedhjen dhe orientimin. Unë personalisht kam menduar për inxhinieri softuerike. Unë mendoj që dega që kam zgjedhur, por edhe fusha e teknologjisë në përgjithësi, ka një zhvillim të madh. Po ashtu, edhe në universitete është përmirësuar ndjeshëm. Kam menduar ta zhvilloj në Shqipëri, por pse jo edhe jashtë”, tha Eriselda Rrenjollari, maturante.
Ndërkohë, Alisia Bakalli, një tjetër maturante liston degët më të preferuara nga bashkëmoshatarët gjatë këshillimit të karrierës.
“Mendoj se degët janë arkitekturë dhe mjekësi. Piktura më pëlqen, por nëse do e ndërlidhja, do të vazhdoja për arkitekturë, pasi më pëlqen dhe duket e zhvilluar këtu”, tha Bakalli.
Orjola Caka, mësuese e këshillimit të karrierës, thekson nevojën për përfshirejn e prindërve në procesin e orientimit profesional.
“Prindërit në fakt, në vendin tonë, ndikojnë më shumë sesa përpiqen t’i motivojnë. Në të ardhmen, mendoj se prindërit duhet të jenë më të integruar në programet e këshillimit të karrierës. Tendencat e tregut të punës janë patjetër të ndryshueshme. Në të gjitha profesionet ka pasur zhvillime dhe tashmë po përdorim gjithnjë e më shumë inteligjencën artificiale. Pa diskutim, profesionet e së ardhmes mund të jenë krejtësisht të ndryshme nga ato që kemi sot”, tha Caka.
Mesuesit thone se qëllimi kryesor është motivimi që nxënësit të jenë të aftë të përballen me ndryshimin e vazhdueshëm të tregut të punës./vizionplus.tv





