Arrestimi i Erion Veliajt në zyrën e kryebashkiakut është goditja më e rëndë që mazhoranca ka përjetuar deri tani. Por, ky zhvillim ka ndryshuar qasjen e politikës ndaj SPAK.
Tani është Partia Demokratike që është rreshtuar në mbrojtje të Prokurorisë së Posaçme, ndërsa socialistët prej tre ditësh lëshojnë kritika të forta në adresë të saj.
Klima politike deri në zgjedhjet e 11 majit duket se do të jetë mjaft e tensionuar.
Për të diskutuar më shumë mbi zhvillimet politike në vend, Edvin Kulluri, përfaqësuesi i Partisë Djathtas 1912, ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus me Pranvera Borakajn.
Z.Kulluri tha se me mbrojtjen që Berisha po i bën SPAK-ut dhe akuzat që po lëshon kryeministri, dy partitë kryesore PD dhe PS po humbin besueshmërinë tek publiku.
Ai tha se persona të administratës kanë shkuar dhe kanë kërcënuar gjyqtarin Bami, teksa shton se Veliaj përbën rrezikshmëri shumë të lartë në intimidimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Intervista e plotë:
Si i keni parë këto lëvizje politike? Berisha ka dalë në mbrojtje të SPAK, ndërsa Rama, që për 5 vite ishte në mbrojtje, ka lëshuar akuza.
Kulluri: Ky ndryshim pozicionesh bën që dy partitë e mëdha të humbasin akoma më shumë besueshmërinë tek publiku, gjë që e kemi thënë prej kohësh. Kam përshtypjen që jemi në fundin e një cikli politik, të një përpjekjeje gjysmë të dështuar për të kaluar drejt një demokracie kushtetuese. Këto janë përpjekjet e fundit për të mbijetuar. Ngjarja e pardjeshme ishte shumë e rëndë. Ka qenë një tentativë për grusht shteti.
Ishte e pritshme për ju?
Kulluri: Po, sigurisht që po. Persona të administratës kanë shkuar dhe kanë kërcënuar gjyqtarin Bani. Kjo nuk ka ndodhur prej 34 vitesh; këtë e kanë bërë vetëm oficerët në Shkollën e Bashkuar në vitin ‘91. Edhe ajo që bën Berisha është intimidim, por opozita nuk ka pushtet ekzekutiv, është parti politike. Kjo që ka bërë Rama dhe Veliaj është shumë e rëndë.
Duhej të ishte arrestuar Veliaj, në këndvështrimin tuaj?
Kulluri: Unë s’kam asnjë këndvështrim. Asnjë nga ne nuk duhet të marrë guximin të bëjë gjyqtarin apo avokatin. Nuk ka dalë asnjë prokuror, avokat apo ish-avokat, ish-prokuror që të thotë se këtu ka shkelje të ligjit. Ai, duke qenë në qeli, ende e përdor administratën publike të Bashkisë së Tiranës. Ai njeri përbën rrezikshmëri shumë të lartë në intimidimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Çfarë pune ka kryeministri të shkojë në bashki? Këshilli Bashkiak është i zgjedhur, i votuar. Jo vetëm kaq, por del edhe në shesh dhe thotë: “Jam unë kryetari i Bashkisë së Tiranës.”
Sa më shumë bëhet e ashpër dora e drejtësisë ndaj politikanëve, ndiheni ju partitë e reja më të favorizuara?
Kulluri: Ne kemi qenë koherentë në vijimësi. Unë gjithmonë kam thënë që i besoj sistemit, jo individit. Nëse nuk kanë bërë korrupsion nivelet e larta të politikës, kush e ka bërë?
/vizionplus.tv





