Presidenti amerikan Donald Trump do të shpallë këtë të hënë tarifa të reja prej 25% për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit në SHBA. Tarifat do të prekin të gjitha vendet përfshirë, partnerët më të mëdhenj amerikanë, Kanada dhe Meksikë.
Ky është një tjetër përshkallëzim i madh i rishikimit të politikave tregtare amerikane. Duke folur për gazetarët, Trump tha se çdo vend që dërgon çelik në SHBA, do të marrë atë që meriton në proporcion me sasinë. Detaje të tjera priten të shpallen të martën dhe të mërkurën.
Përveç Kanadasë dhe Meksikës, burime të tjera të mëdha të SHBA-ve janë Brazili, Koreja e Jugut dhe Vietnami. Me një diferencë të madhe, Kanadaja është furnizuesi më i madh i metalit primar të aluminit në SHBA, duke zënë 79% të importeve totale në 11 muajt e parë të 2024.
Meksika është një furnizues kryesor i skrapit të aluminit dhe lidhjeve të aluminit. Edhe gjatë mandatit të tij të parë, Trump kishte vendosur tarifa prej 25% për çelikun dhe 10% për aluminin, por më vonë u dha disa partnerëve tregtarë kuota pa taksa, duke përfshirë Kanadanë, Meksikën dhe Brazilin.
Me gjithë tarifat e shtuara nga president i ri Trump, Europa deri më tani ka ngelur jashtë, pavarësisht paralajmërimeve. Blloku europian ka thënë se është gati për tu përgjigjur me një reagim të përbashkët të bllokut.





