Nga Blerina Cene
Siç paralajmëroi, Prokuroria e Posaçme publikoi strategjinë e hetimit të krimit zgjedhor për parlamentaret e 11- majit. Nën drejtimin e kryeprokurorit të SPAK, Altin Dumani masat kanë në përmbajtje ka 5 pika.
Ngritja e një task force është e para.
Por, si do ta kryejë monitorimin Struktura Antikorrupsion?
“Grupet hetimore në terren do të kenë në përbërje prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, staf administrativ mbështetës, të ndarë sipas 12 Qarqeve dhe 61 Bashkive. Grupet hetimore në terren do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturës shtetërore, dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor”, thuhet në njpoftimin e SPAK
Por, krahas punës në terren SPAK do të ngrejë një platformë dixhitale, ku qytetarët mund të denoncojnë raste të krimeve zgjedhore.
“Do të ngrihet një platformë e posaçme për denoncime nga qytetarët dhe institucionet, duke përfshirë një numër emergjent, raportime online dhe adresë email-i. Cilësojmë se “Informacionet e marra nëpërmjet kësaj platforme konsiderohen të natyrës informuese. Ndërkohë kallëzime penale do konsiderohen vetëm ato që depozitohen në prokurori në formë të shkruar dhe në formë të rregullt procedurale. Prokurorët detyrohen që të marrin vendime dhe të njoftojnë kallëzuesin vetëm për këto kallëzime penale”, thuhet më tej.
Denoncimet e tilla do të mbikëqyren nga një grup pune i posaçëm që do të monitorojë dhe përcjellë informacionet në Strukturën Qendrore. Thelbësore në këtë proces do të jetë edhe monitorimi financiar gjatë zgjedhjeve.
“Një grup pune më përbërje hetues të hetimit financiar dhe ekspertë të tjerë të fushës në Prokurorinë e Posaçme do të monitorojnë përdorimin e buxhetit dhe investimet publike të cilët nuk lejohen të kryhen gjatë periudhës zgjedhore nga subjektet e posaçme”, tha SPAK.
Në fund, SPAK sqaron se veprat penale që do të hetohen janë, krimi zgjedhor i kryer nga zyrtarë të lartë apo grupi i strukturuar kriminal dhe korrupsioni aktiv e pasiv./vizionplus.tv





