Një vajzë shtatë vjeçare është vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur pas një sulmi me thikë në një shkollë fillore në kryeqytetin kroat Zagreb.
Sulmuesi 19-vjeçar, që besohet të jetë një ish-nxënës, hyri në një klasë në shkollën fillore Preçko mëngjesin e sotëm dhe sulmoi mësuesin dhe disa fëmijë me thikë.
Mësuesi është në gjendje kritike, tha Spitali Sveti Duh.
“Sulmuesi është nën arrest. Personat e lënduar po marrin trajtim mjekësor”, tha policia e Zagrebit.
Dëshmitarët raportuan skena kaotike teksa ambulancat nxituan drejt shkollës dhe njerëzit u larguan nga ndërtesa.
Zyrtarë të ndryshëm, duke përfshirë kryetarin e bashkisë së qytetit Tomislav Tomasevic dhe ministrin e Brendshëm Davor Bozinoviç, shkuan në vendngjarje, raportoi N1.
Kryeministri Andrej Plenkoviç tha se vendi është “i tmerruar” nga “tragjedia”.
Ai tha se ministrja e Shëndetësisë Irena Hristiq do të vizitojë spitalet ku po trajtohen të plagosurit.
Sulmet në shkolla janë të rralla në Kroaci dhe rajonin e Ballkanit./vizionplus.tv





