Policia e Shkodrës ka arrestuar personin që kishte vjedhur makinën tip “Range Rover” që u përdor nga autorët e krimit në masakrën e Dobraçit më 30 tetor dhe u dogj pas ngjarjes kriminale.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ai është arrestuar dy javë më parë në Shkodër dhe vënia e tij në pranga është mbajtur e fshehtë, për të mos penguar hetimet për zbardhjen e vrasjes.
Lexo edhe :
Related Posts
Mjeti rezultoi të ishte vjedhur në Durrës, dhe ishte denoncuar nga pronarët më 17 prill të këtij viti.
Autori i vjedhjes së makinës është marrë disa herë në pyetje për të treguar nëse ka dijeni për rrethanat e vrasjes në Dobraç, por në asnjë moment nuk ka pranuar të japë deklarime.
Dëshmija e tij konsiderohet kyçe për policinë e Shkodrës dhe prokurorët e SPAK që po hetojnë çështjen, me dyshimet se vrasja është kryer nga një grup criminal.
Pak ditë më parë, me dyshimin se nuk kishin kryer detyrën siç duhej, u arrestuan 4 efektivë të Shqiponjave për shpërdorim detyre.
Ata akuzohen se nuk kishin siguruar siç duhej vendin e ngjarjes dhe kishin lejuar të largohej prej andej një person i tretë, për të cilin dyshohet të ishte Ibrahim Lici, një personazh i kërkuar për vrasje.
Në 30 tetor persona ende të paidentifikuar qëlluan nga një makinë drejt makinës, tip Benz S-Class, ku po udhëtonte Hamza Lici, Arlind Bushati dhe një person i tretë.
Nga të shtënat makina që drejtohej nga Hamza Lici, 23 vjeç humbi kontrollin dhe përplasi motorin ku udhëtonin dy qytetarë të pafajshëm, çifti Flutura dhe Bashkim Basha.
Flutura Basha humbi jetën në vendngjarje. Ndërsa Arlind Bushati humbi jetën, po atë ditë pak orë më pas në spital.
Tre ditë më pas vdiq në spital edhe Bashkim Basha. Në makinë me Licin dhe Arlind Bushatin udhëtonte dhe një person i tretë, që dyshohet se është Ibrahim Lici./vizionplus.tv







